Lukas Leiva është tashmë një ish-futbollist i Liverpulit, sepse është transferuar te Lacio, pas shumë vitesh në Angli. Braziliani nuk ka qenë një lojtar kyç te “The Reds” këto vitet e fundit, por ishte shumë i respektuar nga tifozët dhe largimi i tij ka mërzitur shumë prej tyre, edhe pse nuk ka qenë ndonjë befasi.
Liverpoolfc.com ka publikuar edhe një letër të hapur, shkruar nga Lukas për tifozët, një letër e bukur dhe me klas…
Letra e Lukas Leiva pas largimit nga Liverpuli!
“Kur u bashkova me Liverpulin para 10 vitesh, kisha 3 ambicie kryesore.
Së pari, dëshiroja të fitoja një vend në skuadër, gjë që e arritja. Së dyti, dëshiroja të provoja se isha në lartësinë e duhur për të veshur këtë fanellë dhe nëse ia kam dalë mbanë, këtë e vendosin të tjerët, jo unë. Së treti, kur shihja nga e ardhmja, shpresoja që kur të vinte momenti, të largohesha nga ky klub i mrekullueshëm në mënyrën më të bukur të mundshme.
Ajo kohë ka ardhur, pasi tani nis një karrierë të re te Lacio dhe ndërsa jam i trishtuar se koha ime në Anfield përfundoi, të paktën më ngushëllon fakti që lidhja ime me Liverpulin dhe tifozët mbetet më e fortë se kurrë.
Ky është një ndër klubet më të mëdhenj në botë dhe qëllimi im ka qenë gjithmonë që të luaja aty deri në fund të karrierës, por sa më pak kam luajtur kohët e fundit, aq më shumë e kam kuptuar që duhet të largohem gjetkë, për të luajtur sa më shumë të mundem. Do të ishte tepër e lehtë të qëndroja në Liverpul, edhe pa luajtur, sa të mundesha, por kjo do ishte kundër gjithçkaje që unë besoj, si sportist.
Tani shkoj te Lacio dhe trishtimi përlargimin nga Liverpuli zëvendësohet nga entuziazmi se do luaj për një ndër klubet më të mëdhenj në Itali. Para vendimit, e diskutova situatën time me Jyrgen Klopin dhe mënyra si e trajtoi këtë çështje tregon edhe një herë sa shumë i respekton lojtarët ai. I jam mirënjohësh, atij dhe gjithë trajnerëve që kam pasur në Liverpul, sidomos atyre që kanë besuar tek unë, edhe kur ishte e lehtë të bëhej e kundërta.
Tani shpreson të jap kontribut te Lacio ashtu si kam brë në Liverpul, ku kam qenë i bekuar që kam jetuar e punuar për një dekadë, një qytet ndryshe nga çdo qytet tjetër, një vend ku jam martuar dhe jam bërë baba i dy fëmijëve, ndaj do ta mbart me vete Liverpulin, kudo që të shkoj.
Ndoshta nuk kam fituar aq shumë trofe sa do doja, por kur dëgjoj njerëzit që më konsiderojnë një Liverpulas, që këndojnë emrin timnë stadium, ndihem sikur kam fituar medalje pa fund. Tifozët do të kenë gjithmonë një vend special në zemrën time, Liverpuli dhe njerëzit e këtij qyteti do të mbeten përjetë me mua. Falënderoj nga zemra çdo tifoz të Liverpulit, unë dhe familja ime do t’u jemi përjetë mirënjohës. Largohemi me trishtim, nuk më mbetet tjetër veçse të uroj nga zemra që sezoni i ri të jetë madhështor për klubin tim të ri dhe atë të vjetrin.
YNWA!
Lukas”.