Luhet për verdiktet e fundit të kampionatit/ Spikasin Dinamo-Egnatia dhe Tirana-Vllaznia, mësoni agjendën e javës së 35 të Superiores

Vetëm 2 javë na ndajnë nga përfundimi i kampionatit të rregullt të “Abissnet Superiore”-s. Në këto dy raunde të mbetura luhet për verdiktet e fundi të elitës së futbollit shqiptar. Ashtu si në fundjavë, edhe këtë herë të gjitha ndeshjet do të zhvillohen njëkohësisht. Ndeshjet e javës së 35 do të luhen më datë 8 maj, duke nisur nga ora 16:00.

Dy duelet që dalin më në pah janë ato mes Dinamos dhe Egnatias dhe Tiranës e Vllaznisë. Dinamovitët luajnë shanset e tyre të fundit për të zënë një vend në 4 më të mirat, që do i siguronte Europën dhe mundësinë për të garuar për titullin kampion. E njëjta gjë vlen edhe për Tiranën, e cila dëshiron të jetë aty ku i ka hije stemës së rëndë të saj.

Por në mesjavë i pret një ditë e vështirë, pasi Egnatia dhe Vllaznia, edhe pse e kanë siguruar ‘final four’-in, luajnë për vendin e parë në renditje. Një pozicion që do i siguronte një avantazh më të madh në gjysmëfinalen e titullit kampion, pasi do të mund të kualifikoheshin edhe me një barazim.

Të dyja këto takime do të transmetohen pa pagesë për të gjithë sportdashësit shqiptar në ekranin e “MCN TV” dhe “MCN TV 24”. Ndërkaq, ndeshjet e mbetura, Erzeni-Teuta, Kukësi-Partizani dhe Skënderbeu-Laçi do të transmetohen në po të njëjtin orar në kanalet e platformës “Tring”./Halit Delibashi-Sport Ekspres/