Edhe shkodrani nuk ka rënë dakord me presidentin Tavo, i cili i ka kthyer sytë nga Gjirokastra për njeriun, që do të ulet në stol
Gëzim Beqiri
E marta në kampin gjirokastrit ishte parashikuar si dita e prezantimit të trajnerit të ri të Luftëtarit. Kështu është shprehur ditë më parë presidenti Grigor Tavo për mediet, teksa ka pohuar se e marta do të ishte dhe afati i fundit i emërimit të trajnerit të ri. Realisht, një gjë e tillë nuk ka ngjarë, çka do të thotë se skuadra gjirokastrite është e vetmja, që nuk ka në krye “timonierin” e saj për sezonin 2017-2018. Duket se tratativat e herëpashershme të presidentit Grigor Tavo për të pasur në krye të stolit një trajner jashtë Gjirokastrës kanë dështuar. Ndaj dhe presidenti Tavo gjendet mes ”dilemave“ të shumta për sa i takon dhënies fund të çështjes së shumëpërfolur këto ditë në qytetin e gurtë. Bisedimet me Mirel Josën dhe së fundmi me Elvis Plorin duken të dështuara, kështu që presidentit Tavo nuk i mbetet gjë tjetër, veçse të vihet në kërkim të një trajneri tjetër, i huaj apo vendës qoftë. Në një kohë që mbetet një “rebus” më vete çështja e trajnerit të ri, gjirokastritët, nën drejtimin e Petraq Meçit dhe kapitenit Beqiri, vijojnë përgatitjet në terrenin sportiv “Fusha e Vjetër”.
PËRGATITJET – Në kushtet e motit përvëlues, futbollistët gjirokastritë po punojnë për të marrë gjithë ngarkesën e duhur fizike, duke sfiduar të nxehtin. Pjesë e procesit sërvitor ishin të gjithë futbollistët që nisën ditën e parë përgatitjet. Të ndarë në grupe, lojtarët vijuan për disa minuta lojën me top, të gatshëm për të zbatuar rigorozisht detyrat e dhëna nga trajneri Meçi. Për gjatë minutazhit stërvitor, ai është shtrënguar të ndalojë stërvitjen, që lojtarët të pinë ujë, për shkak të temperaturave shumë të larta.
ZEKO – Për herë të parë u konstatua prania e përgatitësit të portierëve Ilirijan Zeko, nën urdhrat e të cilit katër “gardianët” e Luftëtarit, të vendosur mes katërkëndorit, kryenin ushtrime nga më të ndryshmet.