Luftëtari, të hënën mëson stafin e ri teknik

Gjirokastritët duhet të presin dhe pak ditë. Trajneri i të rinjve, P.Meçi, vlerëson angazhimin e futbollistëve në stërvitje

Gëzim Beqiri

Shtyhet për më vonë ardhja e trajnerit, i cili do të drejtojë skuadrën e Luftëtarit në sezonin 2017-2018. Tani përflitet se të hënën ai do të mbërrijë në Gjirokastër për të marrë drejtimin e ekipit, por do të ketë në dispozicion vetëm 30 ditë për ta përgatitur për kampionatin e ri. Kureshtja se kush është dhe nga vjen ende nuk është shuar, por në këtë ekip vazhdojnë përgatitjet nga trajneri i të rinjve Petraq Meçi, për t’ia bërë më të lehtë punën stafit të ri teknik. Koha është e kufizuar dhe shumë detyra duhet të jenë duke u zgjidhur, kryesisht përgatitja fizike. Me ardhjen e trajnerit dhe fillimin nga puna të stafit të ri teknik, mësohet se faza përgatitore do të zhvillohet në Veria të Greqisë, aty ku u krye edhe vitin e kaluar. Përveç kësaj, janë në projekt disa futbollistë nga ekipe të tjera, të cilët do t’i propozohen trajnerit të ardhshëm, nëse do të jenë të vlefshëm, si dhe disa të rinj nga 19-vjeçarët e Luftëtarit, që vazhdojnë përgatitjet me grupin. Do të jetë ai që do të vendosë, pasi t’i vëzhgojë, duke bërë plotësimet e duhura, qoftë edhe si numër, sepse deri tani stërviten vetëm 22 futbollistë, bashkë me të rinjtë.
MEÇI – Për situatën dhe përgatitjet e deritanishme, trajneri Meçi shprehet: “Pavarësisht si do të vazhdojnë më vonë marrëdhëniet e mia me ekipin e të rriturve, për ditët që po punoj me të, po jap maksimumin, në mënyrë që të përvetësojë atë program fillestar dhe që është shumë i nevojshëm për fazën ku ndodhemi, sidomos në aspektin e përgatitjes fizike. Kemi më shumë se një javë që stërvitemi dhe konstatoj se futbollistët janë të angazhuar, duke ma bërë më të lehtë punën trajnuese. Nga dita e djeshme kemi kaluar me dy seanca stërvitore në ditë dhe disa herë në javë futbollistët do të kalojnë disa minuta në sallën e forcës. Punohet me dy grupe, në mënyrë që programi stërvitor të përvetësohet më mirë, ku në njërin grup bëjnë pjesë lojtarët me moshë të re. Janë dhjetë të rinj nga ekipi i moshave, që stërviten dhe unë i njoh mirë ata, pasi kam më shumë se katër sezone që i përgatis. Mendoj se shumë prej tyre janë të talentuar dhe mund të jenë të nevojshëm për ekipin, duke debutuar me sukses në Superiore. Do të jem ose jo në stafin teknik, po bëj maksimumin dhe jam pjesë e akademisë së futbollit në këtë klub, ndaj puna ime duhet të lërë gjurmë dhe të justifikojë këto ditë që po e përgatis ekipin. Për aq sa konstatoj, me disa plotësime në formacion, Luftëtari jo vetëm nuk do të ndjehet i rrezikuar për rënien nga kategoria, por pretendon të renditet midis ekipeve më të mira të Superiores”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online