Luftëtari nuk mjaftohet me një sezon perfekt, tani do Hair Zeqirin

Gjirokastritët po ndjekin të njëjtën taktikë në merkato, duke afruar lojtarë pa shumë emër, ku përjashtim bën vetëm mesfushori vlonjat

Gëzim Beqiri

Vazhdojnë të jenë të gjithë me pushime aktorët e futbollit në Gjirokastër, ndoshta deri në përfundim të zgjedhjeve. Megjithatë,  mësohet se ka një skuadër në listë, ku numrit të futbollistëve aktualë i shtohen edhe shumë të tjerë, që janë në planet e Luftëtarit për sezonin e ardhshëm. Si në të gjitha rastet e deritanishme, deklarimi i tyre bëhet kur çdo gjë ka përfunduar, por nga burime të brendshme pranë klubit mësohet se janë në plane futbollistë pa shumë emër, shumica nga skuadra të Kategorisë së Parë, por me moshë të re. Përforcimet kërkohen nga ekipe si Pogradeci, Kamza, Dinamo dhe Flamurtari.

ZEQIRI – Ndër kandidatët për të veshur fanellën e Luftëtarit thuhet se bën pjesë edhe vlonjati Hair Zeqiri. Emri i tij qarkullon si një përforcim i mundshëm për gjirokastritët. Zeqiri ka shkëputur marrëdhëniet me Flamurtarin shumë javë para mbylljes së kampionatit që shkoi.

TAKTIKA – Edhe në merkaton e një viti më parë, drejtuesit e Luftëtarit përdorën të njëjtën taktikë në përzgjedhjen e futbollistëve dhe rezultuan të suksesshëm. Bregu, i lënë disi në hije nga ekipet e tjera, bëri emër pas aktivizimit me Luftëtarin, pavarësisht se ishte thënë më parë se ishte mjaft i talentuar. Abazaj luante me Elbasanin dhe talenti I tij u zbulua po nga teknikët e Luftëtarit, pa përmendur emra të tjerë, që tani janë shumë të kërkuar në Superligë. Jo pa qëllim të gjitha kontratat me futbollistët u firmosën për tre vjet (2+1) dhe shumica e futbollistëve të afruar janë me moshë të re. Rroca, Ruçi, Lamçe, Topi, Brahimaj, Rapo, Zogaj, bashkë me Bregun dhe Abazajn, përbëjnë pothuajse një skuadër të plotë të moshës 18-22 vjeç, por janë edhe 4-5 futbollistë vendas nga të rinjve, që e bëjnë grupin më të plotë. Pra, “skuadra në letër” është fillimi, pavarësisht se i vonuar, i përgatitjeve për sezonin e ri.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *