Luftëtari ka nisur pushimet, që në fakt do të jenë shumë të shkurtra. Me një njoftim në faqen e vet zyrtare në Facebook, klubi njofton se të gjithë janë me pushime për 3 ditët e ardhshme, duke sqaruar se vetëm më pas do të nisë puna për kontratat e reja.
Ndërkaq, largimi i parë është ai i Vangjel Zguros, mesfushorit të majtë të ardhur në merkaton e janarit. Pogradecari ka udhëtuar drejt Amerikës për t’iu bashkuar familjes së tij dhe vështirë se mund të kthehet në Shqipëri.
24-vjeçari nuk u prit aspak mirë nga tifozët në Gjirokastër, duke kujtuar betejën kundër Pogradecit në fund të sezonit të shkuar, por Zguro zuri vend në formacionin gjirokastrite, duke luajtur 12 herë titullar (14 në total) dhe duke bërë një figurë të mirë, edhe pse ia njollosën paksa ecurinë 5 kartonë të verdhë e një i kuq, që e detyruan të mungonte 2 ndeshje.