Trajneri Hasan Lika po mendon për formacionin që do të zbresë në fushë kundër Vllaznisë dhe nuk dëshiron të bëjë eksperimente
Pavarësisht të ftohtit dhe reshjeve të shiut, për më shumë se 90 minuta futbollistët e Luftëtarit u stërvitën intensivisht dje. Pas 30 minutave nën urdhrat e përgatitësit atletik, drejtimin e stërvitjes e ka marrë tekniku Hasan Lika. Grupi i futbollistëve është ndarë në katër skuadra, teksa luheshin njëkohësisht dy ndeshje në të dy pjesët e fushës. Të nxitur nga trajneri, futbollistët kanë vepruar me shpejtësi, por dukeshin më në humor nga një ditë më parë, kur përpara fillimit të stërvitjes u zhvillua me shumë kritika analiza e ndeshjes me Laçin. Të shtunën Luftëtari pret Vllazninë, një ndeshje përcaktuese nëse bluzinjtë do të vazhdojë të pretendojë pjesëmarrjen në kupat Evropiane, apo do t’i bashkohet Vllaznisë dhe Teutës për mbijetesë. Pas përfundimit të stërvitjes nga ana e lojtarëve, portierët kanë vazhduar stërvitjen. Përveç Ruçit dhe Athanasopullos, stërviten së bashku edhe Qyrani e Shumeli nga ekipi i moshave. Nuk ka mbaruar me kaq, pasi ekipi pasdite ka punuar edhe në sallë force.
DILEMA PER FORMACIONIN
“Edhe sikur të mos ishim në kushtet e mungesave të kësaj jave, nuk mund t’ju them asgjë për formacionin ndaj Vllaznisë. Ndryshime do të ketë, jo vetëm se na mungojnë tre lojtarë për arsye kartonësh, por një apo dy mund të ndryshojnë edhe në kushte normale”, shprehet shkurtimisht trajneri i Luftëtarit, Hasan Lika. Jakovljeviç, Rroca dhe Aleksi do të mungojnë për shkak kartonësh, ndërkohë që gati janë Lejdi Liçaj dhe Oltion Rapa. Ky i fundit mund të aktivizohet në qendër bashkë me Beqirin. Dema, Janku, Rapo, Lamçe dhe Ziaji janë alternativat për një vend në mesfushë. Toledo dje është stërvitur veçmas grupit dhe mund të mos jetë i gatshëm për ndeshjen e së shtunës. ”Nuk është se futbollistët e stolit nuk kanë nivel, por duke aktivizuar tre njëherazi, duhet më shumë marrëveshje në lojë midis futbollistëve. Ndaj edhe po i vendos të luajnë në këtë mënyrë”, përfundon Lika.
Gëzim Beqiri