Flamurtari pret Kamzën nesër në Vlorë, ndërkohë që sot para mediave është shfaqur zëvendëstrajneri Ergi Lubani, si dhe dyshja Tomislav Bushiç-Goran Siljanovski. Krahu i djathtë i trajneri Daja e nisi sezonin te Kamza dhe më pas u transferua në Vlorë.
Ai e vlerëson ekipin kundërshtar, madje është i habitur nga pozicioni që ata kanë në tabelë. “Patjetër që e njoh mirë ekipin e Kamzës, edhe pse me ndryshimet e trajnerëve ka lëvizje taktike. Por cilësitë individuale të lojtarëve i njoh. Nisur nga kjo them se është një ndeshje e vështirë. Kamza nuk e reflekton atë që ka në renditje në krahasim me cilësinë e futbollistëve që ka”, u shpreh Lubani në konferencën e sotme për shtyp.
Më tej ai shtoi: “Ky kampionat nuk ka ndeshje të lehta, e kemi parë vetë këtë. Brenda gjashtë ditësh kemi fituar me vendin e parë dhe më pas jemi mundur nga vendi i fundit. Çdo ndeshje meriton vlerësimin maksimal. Kjo sfidë do të jetë e bukur edhe për tifozët, pasi lojtarët preferojnë lojën e bukur dhe me topin poshtë”.
Lubani në vazhdim thekson se fitorja është objektivi i Flamurtarit: “Kemi fatin që luajnë në fushën tonë, ndryshe nga ekipe të tjera që janë detyruar të luajnë jashtë. Ne e kemi pasur fushën në kushte optimale, tifozët janë sjellë shkëlqyeshëm dhe luajmë brenda. Kamzën e njoh si ekip të fortë, nuk është diplomaci deklarata ime. Sinqerisht ata më habitin për pikët që kanë, duhet të ishin shumë më lart. I kam trajnuar dhe janë cilësorë e me përvojë. Meritojnë vlerësim maksimal. Patjetër objektivi ynë është fitorja, sidomos në Vlorë”.