“Luan më mirë kur ka shumë tifozë”! Trajneri i Sivaspor i tregon Shqipërisë sesi shpërthen Rei Manaj: Kërkon dashurinë e njerëzve…

Rei Manaj ka shpërthyer me gola te Sivaspori në këtë sezon. Megjithatë në ftesën që Silvinjo i dërgoi për miqësoret e marsit, në atë përballje kundër Kilit, Manaj rezultoi një hije në fushën e blertë. Por si mund të shpërthejë Rei Manaj? Trajneri i Sivaspor, Uygun, tregon pak nga sekreti i sulmuesit shqiptar. Sipas tij, Rei kërkon dashurinë dhe vëmendjen maksimale të njerëzve kundrejt tij për ta bërë më ambicioz.

“Na duhen më shumë tifozë në stadium. Ata janë një motivim shtesë për ne dhe për futbollistët. Përshembull, në rastin tonë, Rei Manaj është më aktiv në fushë kur ka shumë tifozë, luan gjithmonë më mirë. Kur ata i tregojnë dashurinë karshi tij, Manaj bëhet më ambicioz. Futbolli është më i mirë me spektatorë”, tha Uygun. /Elio Hajdari-Sport Ekspres/