Elbasani në Superiore/ Janë një pasuri për futbollin shqiptar, ja pse tifozët e Elbasanit do të ndikojnë në gjithë elitën e futbollit shqiptar

Elbasani është një prej ekipeve që ka dalluar më tepër në futbollin shqiptar për këtë sezon. Ekipi që drejtohet me sukses nga Nevil Dede, mban vendin e parë në renditje në Kategorinë e Parë, me dy pikë më shumë se Bylisi.

Kur kanë mbetur edhe 5 ndeshje nga fundi i kampionatit, verdheblutë kërkojnë vetëm 1 pikë për t’u ngjitur matematikisht në Superiore. Gjithçka është mbyllur dhe misioni është arritur me sukses, por për ta zyrtarizuar, Elbasani do të pres deri në ndeshjen e radhës.

Kjo pasi Elbasani ka 20 ndeshje rresht pa humbje në kampionat dhe sipas të gjitha gjasave, nuk mund të humb as këtë herë kur në objektivin e saj është të paktën një pikë. Megjithatë kur flasim për ekipin e Elbasanit, duhet të ndalemi padyshim te tifozët.

Këta të fundit ishin një pasuri jo vetëm për Elbasanin, por edhe për Kategorinë e Parë. Të shumtë kanë marshuar drejt stadiumit dhe kanë ndjekur ndeshjet e ekipit të tyre të zemrës, pavarësisht përballjeve me kundërshtarë të cilët kanë emra jo ekzotik për të joshur tifozët dhe për t’i sjellë në stadium.

Kjo tregon se tifozët e Elbasanit do të jenë një pasuri e madhe edhe në Superiore. Një gjë e tillë është padyshim pozitive për futbollin shqiptar në tërësi pasi do të nxis konkurrencën e tifo grupeve në tribuna dhe ekipet e tjera do të kenë më shumë tifozë në tribunë, në mënyrë që Elbasani të mos e fitojë garën e tifozëve shumë javë para mbylljes së kampionatit, këtë herë në Superiore. /Sport Ekspres/