Stefano Sensi ishte pranë transferimit te Milani, por në fund u vesh zikaltër. Interi veproi shpejt, plotësoi kërkesat e Sasuolos dhe arriti marrëveshjen me 23-vjeçarin. Mesfushori ka folur për “Gazzetta dello Sport”, duke zbuluar frymëzimin spanjoll, më saktë atë katalanas.
Ksavi është idhulli i tij, ndërsa Barcelonën shpreson ta ketë përballë në Champions. Më pas Antonio Konte dhe defekti i Interit. Sensi beson fort te trajneri i ri dhe nuk i kursen thumbimet në fund për kuqezinjtë e Milanit.
“Interi është ashtu siç e kisha imagjinuar. Po nis një jetë të re, por më duket sikur ndodhem këtu prej vitesh. Idhulli im ka qenë gjithmonë Ksavi. Më duket si një person i familjes. Jam rritur duke parë ndeshjet e tij, studioja videot e tij dhe besoj se në stilin tim ka diçka nga ai lloj futbolli. Kam bërë gjithmonë tifozllëk për Barcelonën dhe shpresoj të luajmë kundër tyre në Champions.
Mendoj se Interi ka vuajtur për mungesë të mentalitetit fitues. Në këtë sens mendoj se Konte mund të bëjë kthesën e nevojshme. Interi ka gjithçka për t’u rikthyer te fitimi i trofeve që këtë sezon. Milan? Bëra zgjedhjen më të mirë dhe këto ditë këtu ma kanë konfirmuar diçka të tillë. Tani dua vetëm që të bashkohet edhe Barela me ne“,përfundon lojtari i kombëtares italiane.