Reali i Madridit kërkon një sulmues dhe Hulen Lopetegui e ka ndarë mendjen shkruan “AS”. Trajneri i spanjollëve e ka bërë të qartë se do të donte në skuadrën e tij Rodrigo Morenon, sulmuesin e Valencias. Futbollisiti 27-vjeçar e ka nisur sezonin me gol, ndërkohë që vjet ka arritur të realizojë 16 herë në kampionat.
Spanjollët, në pamundësi për të marrë emra si Kavani, Kejn apo Levandovksi, mund të tentojnë pikërisht Rodrigon. Në Madrid nuk është i panjohur, pasi ka qenë në të shkuarën pjesë e ekipit të dytë. Në një takim në La Liga ai ka patur mundësinë të grumbullohet me ekipin e parë të Realit.
Lopetegui e pëlqen sulmuesin, të cilin e pat grumbulluar edhe në kombëtare. Por sulmuesi ka një klauzolë 120 milionë euro për largimin nga Valencia, që në fakt kërkon ta mbajë në skuadër sulmuesin, pasi është një nga lojtarët më të rëndësishëm.
Nga ana tjetër Reali nuk është gati të paguajë klauzolën. Ata mendojnë se është e arsyeshme ta transferojnë Rodrigon për 60 milionë euro. Mbetet për t’u parë se çfarë do të ndodhë. Momentalisht nuk është vendosur asgjë. Gjithsesi Lopetegui e ka thënë fjalën e tij.