Skuadra e Empolit siguroi përpara kohe kualifikimin për të luajtur në Serinë A sezonin e ardhshëm. Një sukses i madh për këtë ekip, ku një meritë të veçantë ka edhe Nedim Bajrami. Fantazisti shqiptar ka pasur një kontribut të çmuar në fushën e lojës, teksa me golat dhe asistet e tij ka ndihmuar skuadrën drejt objektivit të vendosur për këtë sezon. Emrin e Bajramit e veçon edhe vetë trajneri Dionisi, i cili i pyetur në “Sportitalia“ për lojtarin më të mirë që ka në dispozicion, zgjedh pikërisht mesfushorin shqiptar.
“Disponueshmëria dhe cilësia e lojtarëve të mi, së bashku me rezultatet natyrisht, janë faktorët që qëndrojnë pas udhëtimit tonë. Sot ne festojmë por nesër do të kthehemi në stërvitje për të përfunduar dhe nderuar kampionatin tonë në mënyrën më të mirë të mundshme. Këtë promovim ia dedikoj të gjithë lojtarëve të mi dhe nënës sime që nuk ka ardhur më për ca kohë. Lojtari më i mirë i imi? Jam në vështirësi të madhe, por nëse duhet të përmend një emër zgjedh Bajramin”, ka deklaruar Alesandro Dionisi./Halit Delibashi-Sport Ekspres/