Etrit Berisha u aktivizua për 90 minuta gjatë miqësores me Jordaninë, duke u rikthyer në rolin e titullarit. Portieri i Atalantës ka folur në konferencën për shtyp, duke folur për miqësoren e së mërkurës dhe ndeshjen me Izraelin në Nations League.
Kuqezinjtë e Panuçit do të përballen me ekipin izraelit ditën e dielë në transfertë, ndërsa Berisha mendon se dhe një barazim në këtë ndeshje nuk është rezultat i keq.
KUALIFIKIMI – “Mundësitë janë reale, duke marrë parasysh dhe lojën e djeshme. E pamë se janë skuadër e fortë, por mundësitë janë reale që të marrim rezultat pozitiv. Po ashtu duke marrë parasysh që Izraeli fitoi dje, i bie që, nëse marrim rezultat pozitiv, ndeshja me Skocinë do të vlejë pak. Jemi të motivuar dhe e dimë rëndësinë e kësaj ndeshjeje.”
FORMA – “Jam i qetë dhe po punoj shumë. Kam vetëbesim dhe them se do të kthehem shpejt aty ku duhet të jem.”
KUNDËRSHTARI – “E kemi ndjekur të gjithë bashkë ndeshjen e Izraelit. Në pjesën e parë dominoi më tepër Skocia, ndërsa në pjesën e dytë Izraeli kishte kurajë dhe krijoi shumë raste dhe arriti që ta fitonte ndeshjen në fund. E njohim kundërshtarin se ka kualitet, por dhe ne po rritemi si skuadër dhe kjo ndeshje do të jetë një nga sfidat deçizive për të dalë të parët e grupit.”
OBJEKTIVI – “Barazimi nuk do të ishte i keq, por them se ndeshja deçizive do të jetë me Skocinë.”
ATALANTA – “Mendova se do të luanim në Europa League me Atalantën. Kemi një grup mjaft të mirë. Dua të bëj gjëra të mira dhe me Atalantën, por gjërat nuk kanë shkuar siç i kisha planifikuar. Jam i qetë dhe po punoj shumë për të arritur për t’u rikthyer aty ku duhet.”
PRURJET E REJA – “Është pak e vështirë dhe për ne që të kemi mundësi të flasim. Edhe lojtarët që vijnë duhet të inkuadrohen shpejt në ekip, pasi tani për tani kemi shumë pak miqësore dhe çdo sfidë është shumë e rëndësishme. Është pak e vështirë si për ta dhe për ne, por lojtarë e rinj u duhet të punojnë më tepër.”