Liverpul dhe Totenhem do të përplasin “brirët” mesditën e së shtunës dhe do të jetë testi i parë i vërtetë për këtë sezon për ekipin e Klop. Trajneri gjerman ka folur për mediat ditën e sotshme për sfidën ndaj “gjelave” të Londrës, si dhe për ndeshjet e ardhshme që “The Reds” do të kenë në javët në vazhdim.
Shtatë ndeshje “ferri” për të kuqtë, që pas Totenhemit do të duhet të presin në “Anfield” PSG-në në Champions. Klop është pyetur për sa i përket gjendjes së ekipit dhe se si të kuqtë po i përgatisin këto sfida.
NDESHJA E VJETSHME KUNDËR TOTENHEM- “Në sfidën e sezonit të kaluar ne gabuam, pasi vinim nga një fitore ndaj Mariborit me shifrat 7-0. Luajtëm ndaj Totenhemit një sfidë të një niveli krejt tjetër. Ne kemi mësuar nga gabimet tona. Çdo sfidë është e ndryshme në mënyrën e saj dhe do të mundohemi të japim më të mirën ditën e nesërme”.
NDRYSHIMET – Gjithashtu trajneri gjerman konfirmon se i duhet me patjetër të bëjë rotacion pasi janë të detyruar të luajnë gati çdo 3-4 ditë. “Sigurisht që duhet ta bëjmë një gjë të tillë. Është një gabim i madh në qoftë se mendojmë për të gjitha sfidat bashkë. Ndeshjet do t’i marrim një e nga një, duhet te jemi te fokusuar. Është mëse e qartë se me numrin e ndeshjeve që do të kemi, do të shikojmë edhe se si do të reagojë çdo lojtar në situata të caktuara. Më pas do të vijnë ndryshimet dhe rotacioni”.
RIVALITETI NË MBROJTJE – Një çështje që shihet e nxehtë ne kampin e kuq është dhe dueli Gomez-Lovren, me anglezin që ka bërë një fillim sezoni mbresëlënës. “Gomez është një djalosh që ka potencial të madh dhe jam i lumtur me formën e tij. Gjithashtu ka një marrëdhënie mjaft të mirë me Van Dijk. Unë shpresoj që Lovren të kthehet sa më shpejt të jetë e mundur, pasi sa më shumë lojtarë të jenë në dispozicionin tim aq më mirë është”.
FABINJO – Në përfundim Klop foli dhe për Fabinjon, i cili akoma nuk po gjen hapësira tek Liverpul. “Nuk është mirë të thuhet që Fabinjo nuk po përfshihet, ai vjen nga një stil loje tjetër nga një ligë tjetër. Ka nevojë për kohën e tij”, ka përfunduar tekniku gjerman.