Pas triumfit në Honfehajm para pak ditësh, Liverpuli ka arritur sot fitoren e parë në kampionat, duke mposhtur 1-0 Kristal Palas. Vendosi një gol i shënuar nga Sadio Mane 17 minuta para përfundimit, në një ndeshje të dominuar nga The Reds, që gjithsesi në pjesën e parë nuk bënë shumë dhe e shtuan presionin në pjesën e dytë, duke goditur në total 18 herë portën kundërshtare.
Sulmi e gjen golin me vështirësi, por Liverpuli në këtë moment mendon më shumë për rezultatet, duke parë kalendarin e ngjeshur dhe nevojën për rotacion, pa harruar që mungon Kutinjo, e ardhmja e të cilit mbetet në dyshim.
Në ndeshjet e tjera të pasdites, Bërnli u mund në shtëpi nga Uest Bromi 1-0, duke harruar fitoren e madhe në Londër ndaj Çelsit javën e shkuar.
Lester Siti arriti një fitore 2-0 ndaj Brajtonit, me gola nga Okazaki dhe Meguajër. Japonezi shënoi që në minutën e parë.
Po 2-0 fitoi edhe Uotfordi, në transfertë ndaj Bornemuthit, me gola nga Riçarlison e Kapue. Fitore e merituar e londinezëve.
Shumë emocione në Sauthempton, me vendasit që fituan në shtesë 3-2 ndaj Uest Hemit. Gabiadini e Tadiç shënuan fillimisht për Sauthemptonin, por i mbetur me 10 lojtarë, Uest Hemi gjeti dy gola me Çiçariton, perfekt në ndeshjen e sotme. Gjithsesi, në shtesë u akordua një 11-metërsh për Sauthemptonin dhe sulmuesi Ostin shënoi me qetësi.