Pas “lumit” të golave, 7 të tillë, dje në Arsenal-Lester Siti, e ka pasur radhën sfida e pesditës së sotme Uotford-Liverpul të prodhojë një tjetër goleadë të çmendur.
Përfundoi 3-3, në një sfidë plot emocione e përmbysje dhe në fund edhe me polemika.
Liverpuli zbriste në fushë pa të dëmtuarin Filipe Kutinjo, i cili ka qenë në qendër të vëmendjes ditët e fundit për një transferim të mundshëm te Barcelona, aq sa u duk se askush nuk e kishte vënë re që Premier Liga ka nisur.
Nëse ndeshja e parë e sezonit, luajtur më 12 gusht, ka ndopak vlerë, për Liverpulin mund të thuhet pa frikë se nuk ka aq shumë nevojë për Kutinjon, sa ka për mbrojtës, sidomos anësorë. Sot luajtën Alberto Moreno dhe Aleksandër-Arnold nga krahët, Lovren e Matip në qendër. Tre gola të pësuar, shumë rreziqe dhe shpërdorim i punës fantastike të sulmit Mane-Salah-Firmino.
Okaka që në minutën e tetë shënoi për Uotfordin, por Mane barazoi në minutën e 29-të. Tre minuta më pas Dukure kaloi sërish në avantazh londinezët, para furtunës së kuqe, me golat e Firminos dhe Salah në minutat 55 e 57. Fitorja u duk e siguruar, por në minutën e 94-t ndodhi gjithçka: goditje nga këndi për Uotfordin, Uijnaldum bëri një gafë duke mos e lagruar topin me kokë në zonë, arbitri bëri një gafë tjetër duke i akorduar golin Uotfordit, por Britos fillimisht në pozicion jashtë loje qartësisht pengoi portierin Minjole, para se të shënonte golin e barazimit.