Vesel Limaj është një nga afrimet e verës te Kukësi dhe me mungesën e Besar Musollit për të hapësirat kanë qenë më të mëdha. Mesfushori, i cili vjet ishte pjesë e Bylisit, është i gëzuar që po ka minuta.
“Jam i lumtur që më ka dhënë besimin trajneri, jam munduar t’i kthej”, shprehet fillimisht mesfushori për “RTSH Sport”, ndërkohë që vlen për t’u theksuar fakti se ai numërohet si i huaj te Kukësi, pasi ka vetëm pasaportë gjermane.
Gjithsesi për të kjo nuk ka shumë rëndësi: “Kam pasaportë gjermane apo shqiptare, nuk ka rëndësi. Unë jap maksimumin në stërvitje, trajneri vendos se kush luan”. Limaj në fund flet edhe për takimin e radhës në kampionat.
“Laçi është kundërshtar i vështirë. Në ndeshjen e parë ishin luftarakë. Besoj do bëjmë maksimumin dhe do fitojmë”, ka përfunduar mesfushori 21-vjeçar, i cili deri më tani është aktivizuar në 8 ndeshje. Gjashtë prej tyre Limaj i ka nisur nga minuta e parë.