Lika i prerë: Zhunior po bën detyrën, me Burrelin për 3 pikë

Vllaznia luan nesër në Burrel me vendasit dhe skuadra e drejtuar nga Hasan Lika kërkon fitoren e dytë në kampionat. Sigurisht nuk do të jetë e lehtë ndaj skuadrës së Stavri Nicës. Tekniku i kuqebluve ka dalë para mediave sot dhe ka theksuar se duan vetëm tre pikët.

“Këtë herë nuk do të jemi e kënaqur me një barazim, si në Kupën e Shqipërisë. Do të synojmë vetëm fitoren. Burreli ka një skuadër të mirë. Vështirësia jonë shtohet nga fakti se luajmë në Burrel, në një fushë jo dhe aq cilësore. Megjithatë, do të japim maksimumin dhe ta zgjidhim fatin e lojës me zgjuarsi. Janë ndeshjet e para dhe duhet ta shohim veten javë pas jave. Kemi qenë pak të vonuar me përgatitjet, por them se do të jemi në ritmin e kampionatit”, është shprehur fillimisht Lika.

Zhunior është një nga lojtarët e afruar në merkaton e verës dhe ka shënuar në dy ndeshjet e para. Trajneri i Vllaznia ka komentuar paraqitjet e sulmues: “Ka rezultuar efikas me golat e tij në këto ndeshje të para, por nuk duhet t’i japim shumë merita. Në fund të fundit po bën vetëm detyrën dhe për këtë gjë paguhet. Të njëjtën gjë duhet të bëjnë edhe lojtarët e tjerë të sulmit”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *