Hasan Lika, trajneri i Vllaznisë, e ka pranuar se skuadra e tij do të ketë vështirësi për fitimin e ndeshjeve. Ndaj Burrelit një ditë më parë triumfi erdhi vetëm në fund pas një goli të shënuar nga Silvio Zogaj.
“Themi se do kemi gjithmonë vështirësi, pasi skuadrat përgatiten dhe tregohen shumë të kujdesshme. Aq më shumë në një fushë si kjo, që ka përmasa të vogla dhe të vë në vështirësi. Futbollistët dhanë maksimumin dhe ishim në kontroll të ndeshjes. Nuk ishin të saktë në 20 metrat e fundit, duke bërë goditje apo në pasimin e fundit. Fituam një ndeshje që gjithkush mendonte se do ta fitonim me më lehtësi. Duhet kuptuar se duhet punuar shumë dhe luftuar. Edhe skuadrat e tjera përgatiten”, u shpreh para mediave trajneri i kuqebluve.
Lika më tej flet edhe në lidhje me objektivin për të shkuar sa më larg në Kupë: “Ne e kemi thënë se jemi përgatitur për kampionat, pse jo edhe Kupën. Gjithsesi nuk është në plan të dytë Kupa, ne nuk dorëzohemi. Do të vazhdojmë të luftojmë, kemi kohë deri në turin tjetër. Tanimë do të fokusohemi te kampionati, sepse na duhet të kalojmë me sukses çdo takim”.