Trajneri i Vllaznia, Hasan Lika, pas fitores me Korabin, foli për “RTSH Sport” dhe u shfaq i kënaqur për fitoren dhe për rastet e shumta që krijuan lojtarët e tij. “Më kënaqin tre pikët, por pjesërisht edhe loja, pasi patëm raste të mira shënimi. Na mungoi qetësia në momentet e krijuara”.
Më tej Lika i mëshoi faktit se kampionati nuk do të jetë i lehtë dhe këtë e provuan edhe sot: “Korabi na e bëri të vështirë, nga mënyra se si organizohej në gjysmëfushën e vet, por edhe për mënyrën si dilte në kundërsulm. Sot e kuptuam se do të jetë e vështirë, gjë që e kam thënë. U vërtetua edhe praktikisht”.
“Grupi? Na mungoi Malota, i cili ishte me temperaturë. Prishi disa ekuilibra. Kemi një grup që ka cilësi dhe duhet të japim më shumë”.
“Mungesa e tifozëve? Është detyrimi ynë për t’i kthyer tifozët në stadium. Sigurisht në momente të vështira duhet të jemi të gjithë së bashku”.