Hasan Lika ka një mision të vështirë, pasi duhet që ta ngjisë Vllazninë në Kategorinë Superiore që këtë edicion dhe ky është një objektiv i cili nuk duhet të diskutohet. Me skuadrën dje u bashkua dhe Eziamaka Kolins Ikena, i cili ishte përforcimi më i fundit i shkodranëve.
Në një prononcim për mediat, tekniku i shkodranëve thekson se lojtari i ardhur së fundmi do ta ndihmojë skuadrën, por dëmtimet janë shqetësimi më i madh për të. ndeshja e radhës për Vllazninë do të jetë ajo me Erzenin, kuqenbultë e kanë të qartë se nuk pranohet asnjë rezultat tjetër veç fitores.
“Ne stërvitemi që çdo ndeshje ta kalojmë me sukses. Ditët e fundit kemi pasur rikuperime të disa lojtarëve që kishin probleme me dëmtimet, por nuk do të kemi me shumë gjasa për lojë, Gilman Likën dhe Bardullën në mesfushë. Luajmë një ndeshje delikate, pasi përballë kemi Erzenin që e ka nisur garën si pretendent, por ka kualitete në gjirin e vet. Mund të them se lojtarët kanë dhënë më të mirën e tyre në stërvitje gjatë këtyre ditëve dhe e kanë vlerësuar shumë këtë përballje. Unë kam besim se do të marrim fitoren e radhës.
“Sa i takon sulmuesit nigerian që është bashkuar së fundi me skuadrën, dua të them se ai është bërë pjesë e jona që në gusht, por për shkak të problemeve me dokumentacionin, ne nuk e kemi pasur në gjirin tonë në këto javët e para. Unë kam besim se do të na shërbejë shumë si lojtar”.