Arbi Laçi, drejtori sportiv i Tiranës, ka vendosur të flasë në media pas një sezoni që realisht mund të konsiderohet i dështuar. Verën e shkuar mendohej edhe titulli kampion, ndërkohë që kupat e Europës as që diskutoheshin. Gjithsesi bardhebluve iu desh të vuanin dhe të siguronin qëndrimin në Superiore vetëm javën e fundit.
Sezoni i ri do kohë të nisë, por te Tirana ia kanë nisur nga puna. Elton Kale, Agustin Torasa dhe Idriz Batha janë tre afrimet e para, ndërkohë që në vazhdim do të ketë edhe përforcime të tjera. “Nuk po punoj vetëm unë, është e gjithë pjesa sportive. Pasi mbyllën sezonin e fundit, tani mendohet për kampionatin e ri”.
SEZONI I SHKUAR – “Objektivi ynë, thënë nga ne, kanë qenë kupat e Europës. Finalja e Kupës do na shpëtonte, por nuk ia dolëm. Kjo më bën t’i vë notë kaluese, pasi vetëm shpëtuam në fund dhe ishte makth”, thotë Laçi fillimisht.
“Pritshmëritë janë të mëdha, kur nuk ka rezultatet dikush flet më shumë. Ka raste që aludohet dhe abuzohet. Skuadra kishte potencial për më tepër, ashtu si u bë. Nuk dua të nxjerr jashtë problemet e familjes. Në mungesë të rezultateve ka probleme dhe komente, që në shumicën e rasteve nuk kanë qenë të vërteta”.
MERKATO DHE HASANI – “Kam ndjekur merkaton e shumë klubeve, edhe në rajon, Në futboll ka raporte të atyre që dalin efikas dhe atyre efikas. Besoj se janë disa gjëra që duhen rregulluar. Hasani, ndryshe nga ne, ai bëri sezonin e tij. I kam një borxh, pasi më kërkoi një bonus dhe hezitova t’ia vendos. Nuk është se më trembte, pasi i vendos. Nëse i arrijnë janë plus edhe për ne. Nuk e besoja se do i bënte 10 gola, u bëra tifoz i tij për ta ndihmuar në arritjen e objektivit. Ai ia doli, edhe pse shifrat ishin me Rexhinaldon”.
KRITIKAT – “Rezultatet të bëjnë të jesh i keq. Kam zgjedhur të mos replikoj, kam memorizuar çdo gjë. Kemi kaluar tre vite të vështira. Kemi ulur kokën, edhe pse nuk na shkon. Ramë nga kategoria, luajtëm në të parën dhe sivjet luajtëm për mbijetesë. Do kemi kohë për t’i thënë gjëra në sy, kudo. Të vërtetat i dimë ne, jo ato që i shohin nga jashtë. Besoj se kësaj skuadre i ka munguar grinta, diçka nga ADN-ja. Ia kam thënë në një moment skuadrës, që ne kur ramë fituam çmimin Fair-Play. Duhet luftuar, madje edhe në limite”.
LËVIZJET E TANISHME – “Kemi marrë ata që deshëm. Trajneri përcaktoi disa emra dhe së bashkë flasim. Kemi folur me Bathën prej janarit. Morëm ata që na nevojiteshin. Kemi disa tratativa, jemi pranë disa konkretizimeve. Jemi në rrugën e duhur. Zërat kundër Bathës? Është një fenomen që njihet kur një lojtar ndryshon fanellë dhe shkon te rivali. E kemi folur me të. Do ta mbështesim dhe me mund dhe djersë edhe nga lojtari, do ia dalë që të fitojë sadopak respektin e tifozëve.
“Merkato? Janë tre lojtarë që kanë pasur pak hapësira, janë më të kërkuarit. Ernest Muçi, Ismailgeci dhe Çelhaka, pasi të luajnë me siguri do të largohen jashtë vendit. Jemi klubi me më shumë lojtar nga akademia në organikë dhe në fushë. Mauexhe, Oduamadi, Atinga dhe Sentamu janë larguar me shtrëngim duarsh. Do ikin edhe katër, por do ruhet boshti”.
LICENCIMI – “Kam ndjekur një proces të gjatë personalisht dhe nuk morëm kriterin financiar. Nuk e morëm për 2-3 çështje të mbartura. Kam qenë në një takim pune në FSHF, isha bashkë me grupin e punës. I gjithë takimi është i regjistruar dhe na u tha që licencën e kemi të marrë. Ishin disa çështje të rezauruara. Në apel u refuzuam për arsye të paditura”.
“Zgjodhëm të shkonim në CAS, bëmë procedurën dhe pagesat, deri më 1 qershor. Me 2 qershor duhet të fitonim Kupën. Pas bisedave me juristët do e merrnim licencën, ndoshta jo tani, por në shtator. Do kishte histori të tjera më pas. Gjithsesi nuk e fituam Kupën dhe nuk apeluam. Nuk kemi asnjë gjyq prej dy vitesh. Ka dy vite që gjërat funksionojnë mirë jashtë fushës. Ndaj edhe flasin, se nuk kemi qenë mirë në fushë. Çështja e aksioneve ëshët proces i gjatë, por edhe i shkurtër”.
100 VJETORI – “Me rëndësi është të kemi një skuadër konkurruese dhe të shihemi më këndshëm me njëri-tjetrin. Është problem kur nuk fitojmë atëherë kur duhet. Rezultatet na bashkojnë. Kemi menduar shumë gjëra, por ka goxha rrugë. Duhet ta përjetojmë dhe më pas të festojmë”, përfundoi Laçi në RTSH Sport.