Trajneri i Gjermanisë, Joakim Lëv, kishte vetëm 21 lojtarë në dispozicion për Kupën e Konfederatave, por ia doli të ketë sukses ashtu si në Botërorin e Brazilit. Mbrëmë e humbi disi toruan, kur pa se djemtë e tij po “shqyheshin” në fushë dhe po merrnin grushte pafund nga kilianët, por në fund buzëqeshi me triumfin plotësisht të merituar. Pas ndeshjes, fjalët e tij qenë po aq hyjnore sa çdo taktikë sado e thjeshtë që njerëzit mund të mendojnë (apo jo) se ai ka ndjekur. “Jam i emocionuar më shumë se kurrë, sepse për ne është një sukses historik. Nuk e besonim në fillim, e them sinqerisht. Jam krenar për këtë skuadër, ka bërë një mrekulli, edhe pse kemi qenë bashkë vetëm për 4 javë. Kam parë një uri të jashtëzakonshme te këta lojtarë, mendojnë se e merituam plotësisht triumfin. Arturo Vidal tha që Kili e donte trofeun, për t’u bërë skuadra më e mirë në botë, ndaj tani mund të themi se Gjermania është skuadra më e mirë në botë.
“Erdhëm këtu për gjysmëfinalen, por me kalimin e kohës filluam të kuptonim se gjërat mund të ktheheshin në favorin tonë. Skuadra reagoi shumë mirë ndaj Kilit, një skuadër solide dhe shumë luftarake. Lojtarët e mi ndoshta nuk kanë eksperiencën e duhur ndërkombëtare, por janë yje, edhe pse disa nuk njihen në gjithë botën. Pragmatistë? Jo, ne morëm maksimumin, që është trofeu. E përsëris: jam i emocionuar dhe dua të shkoj të përqafoj të gjithë pjesëtarët e ekipit tonë”, – u shpreh Lëv.
Brenda pak ditësh, Gjermania ka triumfuar në Europianin e 21-vjeçarëve dhe më pas në Konfederata, me lojtarë shumë të rinj: “Këto dy turne na japin vetëbesim të jashtëzakonshëm, por për këta lojtarë puna sapo ka nisur, duhet të konfirmohen edhe vitin e ardhshëm dhe më pas. Për të kapur majën dhe për të luajtur në nivelet më të larta gjithnjë, ajo është një sfidë më e madhe. Baza është e mirë, vitin e ardhshëm shpresojmë të luftojmë deri në fund për trofeun.
Lëvi i bën komplimente kapitenin Julian Draksler: “Ai ka ndryshuar gjatë viteve të fundit, ka fituar eksperiencë dhe mund të ishte edhe në Europianin e fundit. Tani është në lartësinë e duhur, u tregua një kapiten i shkëlqyer, jo vetëm në fushë. Ai ka komunikuar jashtëzakonisht me skuadrën, u tregua lider dhe është një fitimtar”.