Jurgen Klop kritikoi Nations League si “kompeticioni më i pakuptimtë në botë”. Trajneri i Liverpulit theksoi se “duhet të fillojmë të mendojmë më shumë për lojtarët”, ndërsa replika ka ardhur nga Hoakim Lëv. Trajneri i kombëtares gjermane është vënë në mbrojtje të Nations League, një kompeticion që ka zëvendësuar ndeshjet miqësore dhe ekipet janë ndarë në grupe sipas nivelit pothuajse të njëjtë të skuadrave.
Lëv preferon të përballet me kombëtare të forta, diçka që ia lejon Nations League. Trajneri gjerman e kupton shqetësimin e trajnerëve të klubeve, por ai mbron kompeticionin e ri gjatë konferencës për shtyp para ndeshjeve kundër Holandës dhe Francës.
“Për ne dhe për mua si trajner, Nations League është një shpikje e mirë, sepse luajmë kundër kombëtareve të mëdha. Ky është një kompeticion që vlen për diçka dhe për mua është më e rëndësishme të përballemi me më të mirët, sesa kundër kombëtareve të shteteve të vogla. Trajnerët e klubeve ndonjëherë nuk i pëlqejnë pushimet e ndeshjeve ndërkombëtare, sepse shumë lojtarë të Liverpulit, Bajernit të Mynihut, ose Mançester Sitit largohen. Kjo gjë nuk iu jep mundësinë trajnerëve të stërvitin normalisht skuadrat e tyre“, përfundon Hoakim Lëv.