Partizani nis nesër zyrtarisht sezonin e ri. Kampionët e Shqipërisë do të presin Karabakun në ndeshjen e parë të turit eliminator të Champions Ligës. Franko Lerda do të debutojë në stolin e “demave” dhe shpreson ta nisë mbarë.
Trajneri i Partizanit ka folur përpara duelit kundër ekipit azer, duke u ndalur te kundërshtari dhe djemtë e tij. Italiani prek disa tema dhe ndalet te formacioni që pritet të zgjedhë.
FORMACIONI – “Formacionin e kam në kokë, mund të kem ndonjë dyshim. Në tërësi e kam vendosur. Trashi? Luan Partizani, ai është pjesë e ekipit. Ata që kanë ardhur nuk janë në formën e tyre më të mirë. Në numër janë të shumtë. Mund të jetë prezent në fushë ndonjë prej lojtarëve të ardhur”.
“Bitri, 4 muaj pa luajtur? Nesër do të ketë mundësinë të luajë. Pika më e fortë? Kemi shumë pika të forta, të dobëtat duhet t’i gjejë Karabaku. Vijmë si kampionët e Shqipërisë dhe jemi krenarë për këtë. Kemi tre javë që punojmë, kemi një ekip që është prej vitesh bashkë”.
KUNDËRSHTARI – “Karabakun e kam parë, më shumë se një herë. Janë ekip i fortë, kanë dalë gjashtë herë kampion radhazi. Janë një skuadër shumë e fortë dhe e respektojmë maksimalisht. Gjithsesi kemi shumë besim në vetvete. Rezultatin nuk e di, pres një paraqitje të mirë. Rezultatin e vendos fusha”.
OBJEKTIVI – “Kualifikimi, surprizë? Të shohim, të luajmë ndeshjen e parë. Pastaj do të bëjmë llogaritë. Ndeshja e kthimit varet nga ajo që do bëjmë nesër. Do e shohim si ndeshje të vetme, fokusi është te sfida e nesërme”.