Lena: Titulli? Vetëm diçka i mungon Teutës

0

Mesfushori ndjehet i vlerësuar për besimin e dhënë, teksa thekson se durrsakëve nuk u mungojnë cilësitë, por vetëm eksperienca

Vladimir Prenga

Nijas Lena do të jetë kapiteni i Teutës sezonin e ardhshëm, një përgjegjësi e madhe për mesfushorin, i cili rikthehet pas një viti në Durrës, këtë herë për synime të tjera madhore. Pasi u shpall kampion me Kukësin, ai dëshiron ta bëjë diçka të tillë me Teutën këtë sezon, por është me këmbë në tokë, edhe pse në klub dhe ekip ai sheh ndryshime pozitive. Ndeshja e së mërkurës me Kukësin është një përballje për t’u fituar prej tij, ndërkohë nuk e sheh kalimin te “Djemtë e Detit” një hap pas.

-Nijas, riktheheni në Durrës. Sa duket ju kish marrë malli për detin. Si ndiheni për këtë lëvizje?

(Qesh) Jo vetëm mua, por të gjithëve ne na merr malli për detin, për të mirat e tij. Jam shumë i lumtur që jam rikthyer përsëri te Teuta, këtë radhë për gjëra më të mira.

-Nga momenti që ju jeni larguar kanë ndryshuar shumë gjëra te Teuta. Si e shikoni skuadrën aktualisht?

Patjetër që kanë ndryshuar shumë gjëra, normalisht në aspektin pozitiv, si nga ana e menaxhimit, ashtu dhe brenda ekipit, grupit. Po punojnë shumë për të ndërtuar një ekip sa më kompetitiv, për t’u përballur sa më mirë në kampionat.

-Nga eksperienca juaj, sa e mundshme është që Teuta të luftojë për titullin kampion, objektiv që kohët e fundit po e përmendin drejtuesit e klubit?

Në futboll nuk mund të thuash kurrë para se të fillojë kampionati se dalim kampion. Presidenti dhe zëvendëspresidenti po mundohen të na plotësojnë të gjitha kushtet, si nga ana materiale, ashtu edhe nga ana financiare, për të qenë më të qetë në fushën e lojës. Kështu që ne do futemi në çdo ndeshje për të fituar, pastaj gjatë rrugës do vendosim nëse jemi apo jo për titull kampion.

-Çfarë i nevojitet skuadrës tuaj për të rivalizuar pretendentët për titull, që sërish do jenë të njëjtat klube, duke shtuar edhe Flamurtarin që kërkon vendet e para?

Në përgjithësi në Shqipëri nga eksperienca që kam, shumë klube shpallen para kohe kampion. Unë personalisht do preferoja që ne si Teutë t’i marrim ndeshjet me radhë. Ekipi ynë ndryshon nga të tjerët vetëm nga eksperienca dhe jo nga kualiteti.

-Në aspektin personal, latë skuadrën kampione dhe ju bashkuat Teutës, e shikoni si një lëvizje prapa, apo mendoni ndryshe?

Jo nuk e mendoj aspak një lëvizje mbrapa ardhjen te Teuta, përkundrazi. Mentaliteti im është që të fitojmë dhe me pëlqejnë sfidat. E di që do jetë e vështirë, por do ia dal. Kam besim!

-Të mërkurën luani ndaj ish-skuadrës tuaj. Ju duket si të ishte një ndeshje kampionat?

Ndeshjet kundër ish-ekipit tim Kukësit, do të jenë gjithmonë speciale për mua në aspektin pozitiv të fjalës. Patjetër që do ta vlerësoj si ndeshje kampionati dhe dua që të fitoj.

-Së fundmi, klubi dhe stafi teknik u kanë besuar shiritin e kapitenit. Vlerësim dhe përgjegjësi e madhe. Si e keni pritur këtë?

Pasi firmosa me Teutën, udhëheqësit e klubit dhe stafi kishin vendosur për të ma besuar mua shiritin e kapitenit. Në radhë të parë i falënderoj për besimin e dhënë ndaj meje. Është kënaqësi të jem kapiten i këtij ekipi, i këtij qyteti dhe u premtoj më të mirën time. Njëkohësisht është dhe përgjegjësi e madhe, por e kam atë eksperiencë për ta menaxhuar dhe t’i marr përgjegjësitë që ka një kapiten.

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.