Atmosfera tek ekipi i Leisterit është e zymtë dhe e trishtë. Vdekja e papritur e presidentit Vichai Srivaddhanaprabha, i cili humbi jetën në aksidentin me helikopter, i ka mërzitur të gjithë, por djemtë e ekipit duan të reagojnë. Dëshira e tajlandezit do të ishte të luanin dhe Vardi me shokë do të udhëtojnë nesër me autobuz drejt Kardifit për të zhvilluar ndeshjen e radhës në kampionat.
Xhejmi Vardi, sulmuesi kryesor i “dhelprave”, tregon që kjo ka qenë java më e vështirë e jetës së tij, por ai dhe shokët e tij e kanë ndarë mendjen. Do të zbresin në fushë për të nderuar presidentin e tyre dhe do të kërkojnë fitoren vetëm për të.
“Kemi biseduar të gjithë së bashku dhe kemi rënë dakord të luajmë kundër Kardifit. Kjo është ajo çfarë do të kishte dashur Vichai dhe ne do e bëjmë. E dimë se çfarë duhet të bëjmë dhe do zbresim në fushë për të nderuar emrin e tij dhe për të bërë një ndeshje të madhe për të gjetur fitoren. Do të jetë e vështirë dhe shumë emocionuese, por kemi folur për këtë gjë. Njerëzit thonë që rezultati nuk ka rëndësi, por për ne do të jetë thelbësor dhe do duam të marrim një rezultat pozitiv”, përfundon Xhejmi Vardi për “Sky Sport”.