Sot në “Selman Starmasi” në sfidën e javës së 17-të të Superiores, Partizani-Kukësi, ka edhe një të veçantë. Edhe pse është realisht kryendeshje e javës, ajo do të pa tifozë, dhe këtë fakt, legjenda e Partizanit, Sefedin Braho e quan si fatkeqësi. Për SportEkspres.com, ai deklaroi se do të jetë Partizani i fituari i kësaj sfide, duke renditur edhe disa arsye.
Gjirokastriti Sefedin Braho ka qenë pjesë e Partizanit për disa sezone në dhjetëvjeçarin 1970-1980, njëherësh edhe titullar i Kombëtares në këtë periudhë. Sot një specialist futbolli, Braho nuk heq dorë nga futbolli i luajtur, dhe krahas Luftëtarit, ndjeshmëri tregon edhe për Partizanin, që këtë sezon nuk e mendon veçse kampion në Superiore.
INTERVISTOI: AGRON KAJA
Sfida Partizani-Kukësi është në orët e fundit të zhvillimit të saj, ju si e parashikoni?
-E mendoj një ndeshje të fortë, sepse ky mot me reshje edhe do ta lejojë paksa. Janë dy skuadra të denja për njëra-tjetrën për të prodhuar edhe lojë të mirë, por duke ju referuar gjendjes dhe përbërjeve që kanë, Partizanin e shoh se është më pranë fitores.
Si mendoni se do të ndikojnë te skuadrat të tria rezultatet?
-Fitorja e Partizanit e thellon diferencën e tij me ndjekësit në renditje, por edhe barazimi nuk është keq për të. Një fitore e Kukësit, mendoj se do t’i afronte kuksianët në pikë, por nuk është ndonjë kërcënim për kreun. Gjithsesi, i qëndroj bindjes për fitoren e Partizanit.
Në këndvështrimin tuaj, çfarë do t’i sugjeronit trajnerit Skënder Gega për arritjen e suksesit me Kukësin?
-Unë do t’i këshilloja Gegës që të ketë prioritet sulmin, sepse këtë Partizani gjithmonë e ka patur armën më mbrojtëse, në lojë dhe rezultate. Partizani nuk është rastësisht në kreun e renditjes dhe këtë herë ndaj Kukësit duhet të ketë më shumë besim te fitorja, kapacitetet janë.
Kjo ndeshje luhet pa tifozë, sa ndikim do të ketë në lojën e skuadrave?
-E quaj si një fatkeqësi që një ndeshje futbolli të luhet pa tifozë, sidomos kur mes tyre ndeshen skuadrat e mëdha, që veç spektaklit, gjenerojnë edhe të ardhura për klubet. Ka shumë arsye që detyron tifozët të jenë më të përgjegjshëm në stadium, por edhe ndëshkuesit të jenë më dorëlehtë në dënime.
Po ndeshjet e tjera të javës së 17-të, i mendoni të vështira në kuptimin e rezultateve që mund të arrihen?
-Të gjitha ndeshjet janë të vështira, sepse skuadrat në Kategorinë Superiore nuk kanë diferenca të mëdha mes tyre. Duke ju referuar edhe renditjes, duket se skuadrat pritëse janë më të favorizuara. Por rezultatet duhet të vijnë edhe nga loja e mirë me sa më pak gabime.
Faza e dytë e Kategorisë Superiore mbyllet këtë muaj, ju cilën skuadër e veçoni si më të suksesshmen, dhe cilën si më të dobët?
-Nëse nisemi nga renditja, mendoj se Partizani është skuadra më e suksesshme e gjysmës së parë të këtij sezoni në Superiore, ndoshta edhe Teuta. Ndërsa si skuadra më të dobëta unë do veçoja ato që renditen në katër vendet e fundit, të cilat i janë futur “valles” për mbijetesë.