Legjenda bardheblu, Omuri: Tirana menaxhohet nga pseudo-drejtues

Ish-mesfushori i Tiranës në vitet 1976-1991, Bedri Omuri, shpreh shqetësim për situatën e Tiranës në këtë sezon të Kategorisë Superiore. Në bisedën për Sportekspres.com, për këtë gjendje ai fajëson drejtuesit aktualë, të cilët i quan pseudo-drejtues që janë aty vetëm për interesat e tyre, jo për të mirën e skuadrës bardheblu.

Në karrierën e tij mbi 15-vjeçare në futbollin elitar të kohës, Bedri Omuri kujtohet si një mesfushor me tipare sulmuese, luftarak dhe me shpirt gare. Por, ai mbahet mend edhe për ndeshjet e mira që ka zhvilluar me fanelën e Kombëtares, ku në 20 ndeshjet e luajtura si kuqezi, veçohet goli i tij ndaj Belgjikës në vitin 1984.

INTERVISTOI: AGRON KAJA

Sa ju tërheq kjo Tiranë që, në 15 javë po endet në vendet e fundit të renditjes në Kategorinë Superiore?
-E ndjek, por me një keqardhje të madhe. Nuk e meriton Tirana të jetë në këtë situatë kaq të vështirë në renditje, por e keqia është se ajo po menaxhohet nga pseudo-drejtues, të cilët mendojnë vetëm për interesat e tyre. Tirana sot ka lojtarë “demode”, jo të nivelit të Superiores.

Cili është sugjerimi juaj për të dalë nga kjo situatë që ju e evidentoni me këta pseudo-drejtuesa?
-Tirana duhet të ndryshojë me themel. Ndoshta këtë sezon duhet që në janar të bëhet një merkato për të konsoliduar boshtin e skuadrës. Nga porta e deri në majën e sulmit, kjo Tiranë “fut ujë”. Ndaj duhet merkato cilësore, jo fjalë dhe shou mediatik.

Po 15 javët e luajtura të Superiores, teknikisht si i përshkruani?
-Mendoj se po bëhet një kampionat normal dhe tërheqës. Po shohim në përgjithësi ndeshje të mira. Natyrisht që po tërheq vëmendjen më shumë Partizani, jo vetëm si kryesues, ndërsa Skënderbeu, Kukësi e Teuta po e rivalizojnë. Por vështirë se do ta zbresin nga kryesimi.

Ka ndonjë të veçantë që mund ta evidentoni për këto 15 javë të luajtura?
-Nëse e shikojmë garën në tërësi, mund të ketë shumë të veçanta. Por duke e parë në ritmikën e skuadrave, veçoj ngjitjen e Teutës. Durrsakët kanë një ekip të gërshetuar mirë mes përvojës dhe talenteve. Po kështu edhe Laçi. Ndërsa të tjerat uroj që të jenë në shërbim të cilësisë së garës.

Nga kreu në fund, si e komentoni tabelën e renditjes
-Mendoj se në kreun e renditjes janë 4-5 skuadra që po rivalizojnë mes tyre për kreun. Do të doja që kjo luftë sportive të mos zbehet në vazhdimësi. Po kështu edhe në pjesën tjetër të renditjes, ku Luftëtari, Tirana, Kastrioti e Kamza që tani duket se do të diskutojnë mbijetesën.

Jemi drejt fundit të fazës së dytë, sa janë shprehur skuadrat në vlerat e tyre?
-Mendoj se të gjitha skuadrat kanë patur mundësi për të dhënë më shumë, si në nivelin e lojës, ashtu edhe në rezultate. Por, duke ju referuar edhe një herë Tiranës, ka problematika që nuk shkojnë, ka paradokse që Superiorja e vitit 2018 nuk duhet t’i mendonte, jo më t’i kishte prezente.

Të premten nisin ndeshjet e javës së 16-të, cilën prej tyre e veçoni si kryendeshje?
-Nëse do flas si ish-bardheblu, për mua të gjitha ndeshjet e Tiranës janë të tilla. Por teknikisht, nga kjo javë unë veçoj dy të tilla: Kukësi-Skënderebu që luhet të premten, dhe ndeshjen Teuta-Partizani që luhet të shtunën. Shpresoj që loja dhe rezultatet që këto do të prodhojnë, ta justifikojnë interesin. 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *