Në ndeshjen hapëse të javës së 22-të në Bundesligë, Bajerni i Mynihut fitoi 3-2 në Augsburg. Njeriu i ndeshjes ishte Kingsli Koman, autor i dy golave dhe lojtari që dha asist për golin e tretë.
Megjithatë, mbrëmja u mbyll keq për 22-vjeçarin, i cili në minutën e fundit të ndeshjes pësoi një dëmtim në gju dhe nuk i luajti minutat e shtesës. Gjithsesi, talenti i Bajernit doli nga fusha duke ecur vetë.
Anësori ofensiv i kombëtares franceze duket i mallkuar, sepse vitin e shkuar kreu dy operacione në gju dhe është dëmtuar sërish në të njëjtin vend.
“Do të kryhen kontrolle mjekësore, atëherë do të dimë diçka më shumë, por nuk duket mirë”, tha i zhgënjyer pas ndeshjes trajneri Niko Kovaç. Para pak kohësh Koman deklaroi bujshëm se nëse do i duhej të operohej sërish, do ta linte futbollin.