Largimi nga “demat” dhe prapaskena me Agostinelin, rrëfehet Fili

Realdo Fili ka zhvilluar sot seancën e parë me Skënderbeun, ndërkohë që pas firmës edhe është prezantuar para mediave. Ish-lojtari i Kamzës, Partizanit dhe Apolonisë do kërkojë të tregojë vlerat e tij në Korçë.

Fieraku ka zbuluar se ka qenë dëshira e tij që t’i bashkohej bardhekuqve: “ Kam pasur edhe mundësi të tjera, por isha i bindur të jem pjesë e Skënderbeut. Ishte dëshira ime. Kemi pasur kontakte edhe më përpara. Pasi mbarova kontratën isha i lirë dhe vendosa të vi”.

Më pas Fili tregon se italiani Agostineli e kishte kërkuar në Korçë. “Agostineli, kur u bë pjesë e Skënderbeut, më kërkoi. Nuk u transferova pasi isha pjesë e Partizanit. Tani jam këtu dhe shpresojmë që gjërat të shkojnë mirë”.

Fili foli edhe për largimin nga Partizani: “Kam ngelur disi i pakënaqur, kam pasur mundësinë të jap më shumë, por edhe të merrja më shumë. Jemi ndarë të dyja palët pakënaqur”.

Në fund sulmuesi anësor theksoi se te Skënderbeu nuk i është premtuar asgjë: “Nuk kam kërkuar formacion, as nuk ma kanë premtuar. Luftohet për formacion. Skënderbeu ka si qëllim të mbledhë lojtarët më të mirë këtu”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *