Largimi i Starovës, tani nis revolucioni i kuq

Largimi i Starovës nis një reaksion zinxhir, sepse do të ketë shumë lëvizje të tjera dhe praktikisht muaji gusht do ta gjejë Partizanin të ndryshuar totalisht

Gaz Demi nuk flet shpesh, edhe pse për tifozët një intervistë e tij vlen sa 100 deklarata të të tjerëve te Partizani. Bosi i kuq ka qëndruar tepër i heshtur pas përfundimit të kampionatit, nuk ka komentuar as dënimin e Skënderbeut, që iu hoq titulli, duke mos treguar ndonjë entuziazëm as pas lajmit se titulli i vjetshëm mund t’i kalojë Partizanit, sipas logjikës dhe precedentëve. Largimi i Starovës nuk e ka kapur të papërgatitur, fundja terreni ishte përgatitur me kohë dhe Starovën aty, në klub dhe në krah të tij do ta ketë. Megjithatë, tifozët do të dëshironin shumë që të fliste Demi dhe askush tjetër, në këtë moment aspak pozitiv.

MOXHI – Ish-drejtuesi i famshëm i Juventusit, ose siç thirret nga të gjithë, “Big Luciano”, dje mbushi 80 vjeç. Fillimi i pleqërisë? Duke gjykuar nga energjia që ai përhap dhe nga entuziazmi që ka për të qëndruar në botën e futbollit, përtej dënimit të përjetshëm në Itali, është e sigurt që Moxhi tashmë do të marrë frenat e Partizanit. Ish-drejtori Genc Tomorri e tha qartë para disa ditësh, kur dha dorëheqjen: Po iki, vendin tim tashmë e ka marrë Luçiano Moxhi. Një deklaratë plot helm, që fsheh, por edhe zbulon, shumë gjëra. Te Partizani shumë gjëra do të ndryshojnë dhe uji është trazuar. Pas Tomorrit, iku edhe Starova, edhe pse ky i fundit mbetet këshilltar, por realisht frerët i merr Moxhi. Para disa ditësh edhe vetë Starova deklaronte, jo pa nervozizëm: Unë jam këshilltar i Demit, jam mbi çdo drejtor te Partizani. Nëse nuk e ka pasur për Moxhin, nuk dihet për kë, sepse zor se e ka pasur me Edmond Haxhinë dhe Genc Tomorrin. Moxhi do të sjellë nga Italia edhe Antonelo Preitin, i cili praktikisht do të jetë drejtori i Partizanit, në pamundësi që Moxhi të jetë aktiv gjithë kohën në Tiranë, për arsye të ndryshme. Po Edmond Haxhia? Flitet që do të qëndrojë, por të shohim në ditët në vazhdim.

TRAJNERI I RI, MOLLË SHERRI – Te Partizani ka kohë që pritet trajner i ri, por nuk dihet arsyeja e vonesës pa fund, ashtu si nuk dihet pse nuk është shfaqur në horizont asnjë përforcim madhor nga Italia, siç ishte premtuar. Me siguri përforcimet do të vijnë në javët e ardhshme, pas emërimit të trajnerit të ri, por këtu ka pikëpyetje. Nga një anë, është përfolur emri i serbit Mlladen Milinkoviç, autor i një sezoni të mrekullueshëm në Gjirokastër, tashmë i lirë. Milinkoviç nuk flet vetë, nuk bisedon me askënd, sepse ka përfaqësues, të cilët kanë biseduar me drejtues të Partizanit, por deri tani gjithçka ka mbetur pezullim. Nga njëra anë, Starova rrëfeu para disa ditësh se nuk ka ndonjë simpati të veçantë për serbin, duke sulmuar gjithë trajnerët e huaj në përgjithësi, që sipas tij mbivlerësohen, në çdo drejtim, ndoshta duke iu referuar, pse jo, edhe çështjes së pagave. Nga ana tjetër, vetë Milinkoviç dëshiron të punojë i qetë, pa ndërhyrje dhe të ketë të drejtën të vendosë për çdo lojtar që afrohet në ekip. Si në njërin rast, ashtu edhe në tjetrin, diçka nuk shkon dhe Milinkoviç zor se do të vishet i kuq, por nëse kjo ndodh, atëherë do të duket si një tjetër “goditje” për Starovën, pas deklaratës së tij se nuk ia ka këshilluar marrjen e Milinkoviçit Demit.

LOJTARËT – Organika aktuale ka nevojë urgjente për përforcime, sidomos në mesfushë e sulm. Duhet një organizator i nivelit të lartë dhe mbi të gjitha duhen sulmues, për të ndihmuar Sukajn. Shkodrani shënoi ndaj Botevit dhe tregoi që i mjafton të jetë mirë fizikisht, për të bërë gjëra të bukura, por duhet zëvendësuar Ekuban. Është provuar Basrak, një sulmues nga Lega Pro, ditët e fundit ka dalë në skenë emri i Kinelatos, një sulmues shumë cilësor, sezonin e fundit 13 gola te Komo. Nëse vjen ky i fundit, Partizani gjen gola me shumicë në teori, por tashmë Moxhi duhet të tregojë që “nuk e ka ndërruar qimen”. Nëse Moxhi bën “Moxhin”, Partizani dhe tifozët mund të qëndrojnë të qetë. Përndryshe, nga tetori a nëntori Starova është gat të kthehet në stol…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online