Në mesditë u bë zyrtar largimi i Bledar Sinellës nga pankina e Egnatias, ku sipas tij, situata e rënduar financiare në mospagesat e lojtarëve, nuk i la mundësi tjetër. Ilir Duron, një tjetër kavajas, e zëvendëson. Madje rimerr pozicionin që pati në fillim të sezonit.
Pas marrjes së detyrës, Duro deklaroi për SportEkspres.com: “Pranova me respekt pankinën e Egnatias. Besoj se deri në fund të sezonit do të kemi një skuadër Fair-play dhe larg aleancave. Nga drejtuesit e klubit kam marrë garanci për dhënien e pagave të prapambetura për futbollistët. Besoj se vazhdimësia do të jetë pozitive”.
Ndërkohë Duro deklaron se do të shikohet edhe aktivizimi i elementëve të rinj, me idenë se në sezonin tjetër Egnatias i duhet një ndërthurje brezash në skuadër. “Kjo hapësirë deri në fund të sezonit më jep mundësinë që të shoh edhe ndonjë element të ri, sepse që tani Egnatia do përgatitet për sezonin tjetër. Një ndërthurje brezash e bën edhe më të organizuar këtë skuadër për vazhdimësinë, por vendi i 3-të në grup mbetet synimi final”, përfundoi Duro.
AGRON KAJA