Kallum Hadson-Odoi u kërkua me shumë ngulm nga Bajerni i Mynihut në dimër. Bavarezët ishin gati të jepnin 35 milionë euro për të sjellë në “Allianz Arena” talentin anglez. Situata e vështirë dhe mosaktivizimi nga Sarri e bindën lojtarin të kërkonte largimin, por ne fund gjithçka u ndalua nga Çelsi.
Sarri e aktivizoi, megjithëse 18-vjeçari debutoi në kombëtare përpara se ta bënte këtë me klubin. Besimi i dhënë nga Sarri e uli interesin për t’u larguar. Siç raportojnë mediet angleze, me ardhjen e Frenk Lampard në drejtimin e ekipit, Odoi është bindur plotësisht për të qëndruar.
Pas një bisede me kokë më kokë me trajnerin, sulmuesi ka vendosur të rinovojë kontratën me Çelsin. Lampard i ka dhënë garanci se do të këtë mundësi të luajë dhe të provojë veten. Besimi i të riut në skuadër do të jetë më i madh. Kontrata e re do të jetë 5-vjeçare me një pagë prej 100 mijë paundësh në javë.