Mbrojtësi i Vllaznisë Olsi Gocaj do të mungojë për shumë javë, sepse do të duhet të operohet. 29-vjeçari, një ndër pikat më të forta të Vllaznisë, pësoi një dëmtim në ndeshjen kundër Partizanit dhe u zëvendësua në minutën e 85-të, por ai që fillimisht u duk dëmtim i lehtë, ka rezultuar shumë më serioz nga sa mendohej, pasi bëhet fjalë për një çarje menisku. Për pasojë, pas disa ditësh Gocaj do të duhet të operohet dhe do të mungojë gjatë, duke llogaritur që pas operacionit duhen rreth 4 javë pushim dhe më pas procesi i riaftësimit do disa javë të tjera. Nëse gjithçka shkon mbarë, Gocaj do të rikthehet në fushë në fund të muajit shkurt. Dëmtimi i tij është një arsye më shumë pse te Vllaznia kërkojnë me urgjencë përforcime në mbrojtje.