Në një prononcim për “sport1.de”, Igli Tare, drejtori sportiv i Lacios, flet për objektivin kryesor të bardhekaltërve, kalimin e Ronaldos te Juventus, problemet e futbollit italian dhe sezonin e ri që sapo ka nisur. Bjondi shqiptar analizon “tranzicionin” e futbollit italian dhe jep këshillat e tij për rikthimin e Serisë A në nivelet e dikurshme.
Lacio – “Duhet të shohim se si do të shkojë skuadra dhe si do të integrohen në ekip blerjet e reja. Kemi shumë besim, që mund të arrijmë në katër ekipet më të mira. Champions është një objektiv real dhe mund ta arrijmë diçka të tillë.”
Ronaldo – “Ardhja e tij në Itali është shumë e rëndësishme. Portugezi është akoma në moshën që mund të shprehë më së miri futbollin e tij dhe dëshiron të mbizotërojë në një nga kampionatet më të mira në botë. Ky është objektivi i tij dhe për këtë, unë i heq kapelën. Aktualisht, kampionati italian është më i vështiri në botë.”
Seria A – “Kriza në Itali nisi mbas vitit 2006. Skandalet e zvarritura për një kohë të gjatë ishin problemi kryesor. Probleme të ngjashme për bastet ka patur dhe në Gjermani, por ata i zgjidhën shumë shpejt. Në Itali, gjyqësori është shumë i ngadaltë dhe ky është shkaku që duhet shumë kohë për të zgjidhur këto probleme, edhe pse dikush ka tentuar të ndryshojë gjërat vitet e fundit. Emra të rinj janë futur në futbollin italian, si rasti i ekipeve të Milanos dhe Roma, që ka president të ri, një amerikan që ka investuar shumë në klub. Kualiteti i lojtarëve dhe trajnerëve ka qenë gjithmonë i mirë, por kampionati ka humbur hijeshinë e dikurshme. Gjërat janë përmirësuar në 3-4 vitet e fundit dhe Liga e ka marrë veten nga skandalet e dikurshme.
Sezoni i ri – “Niveli i kampionatit është rritur, sepse shumë skuadra janë forcuar, por nevojitet kohë për t’u rikthyer në nivele stratosferike. Duhen rinovuar infrastruktura, stadiumet dhe duhet investuar te të rinjtë. Vitet e ardhshme, kampionati italian do t’i rikthehet lavdisë së tij.”