Laçi ka dorëzuar në FSHF që ditën e hënë shkresën ku kërkon 3 pikët në tavolinë për ndeshjen me Kamzën. Kurbinasit kërkojnë zbatimin e rregullores dhe janë habitur nga vendimi i Komisionit të Disiplinës të mërkurën. Në vendimet e zbardhura nuk thuhej në asnjë moment që kërkesa e kurbinase është hedhur poshtë dhe në kampin bardhezi presin të shqyrtohet.
“FK Kamza, për dështim në përmbushjen e përgjegjësive për organizimin e ndeshjeve, duke mos zbatuar rregullat e sigurisë, duke mos garantuar sigurinë e zyrtarëve të ndeshjes dhe zbatimin e ligjit, në bazë të nenit 64/1/b, 64/1/c), 64/1/e), 65/1 dhe 65/2 të KDS, dënohet me përjashtimin nga çdo aktivitet futbollistik për sezonin 2018-2019 si dhe gjobë në masën 1.000.000 (një milion) lek. Në bazë të nenit 29 të KDS, FK “Kamza”, dënohet me zbritjen në Kampionatin Kombëtar të Futbollit të Kategorisë së Dytë duke filluar nga sezoni futbollistik 2019-2020”, ishte vendimi i marrë të mërkurën nga Disiplina.
KU BAZOHET LAÇI – Sikurse shihet në vendimin e Disiplinës, dënimi i Kamzës është bërë referuar nenit 29, që thatë thotë: “Një person juridik, një shoqatë ose një klub mund të zbritet në një kategori më të ulët”. Neni 29 ka të përcaktuar një nga dënimet që mund të merret për një klub, kaq.
Mbetemi te rregullorja, teksa sipas nenit 65/3/b, jepet edhe masa e dënimit: “Në rastin e hyrjes brenda pjesës së rrethuar të fushës së lojës të ndonjë personi, duke shkaktuar akte të dhunës ndaj lojtarëve në fushë, dhe/ose zyrtarëve të ndeshjes, dhe/ose ndërprerje të lojës, ekipi përgjegjës për sigurinë në stadium, ose ekipi përgjegjës për aktet e kryera, do të penalizohet me humbjen e ndeshjes në tavolinë me rezultatin 3-0 si dhe zhvillimin e të paktën 4 ndeshjeve pa spektatorë”. Referuar këtij neni, Laçi kërkon tre pikët në tavolinë. Sikurse dihet, në fushë pati persona që u futën dhe goditë, zyrtarin e ndeshjes. Mbetet të shihet se çfarë do të ndodhë në mbledhjen e radhës së Komisionit të Disiplinës.