Nuk janë vetëm Taulant Sefgjini dhe Elvi Berisha që rikthehen për Laçin. Mbrojtësi dhe mesfushori e shlyen pezullimin prej kartonëve në ndeshjen me Kastriotin dhe trajneri Migen Memelli do t’i bëjë llogaritë me ta të dielën.
Së fundmi infermierinë e ka lënë edhe mbrojtësi Sebastian Toro. Kileni u dëmtua në ndeshjen me Partizanin dhe me shumë mundësi do të jetë gati për takimin kundër Kamzës.
Toro është bashkuar me grupin dhe është stërvitur normalisht, duke treguar që është rikuperuar. Për aktivizimin e tij vendos stafi teknik. Gjatë javës do shihet me vëmendje gjendja e tij, pasi prej gati dy javësh nuk është stërvitur.
Ndaj Kastriotit ishte Jon Mersinaj, ai që u pozicionua në krah të Eglentin Gjonit, ndërkohë që në stol ishte edhe Denis Pjeshka. Shkodrani luan në qendër dhe në krahët e mbrojtjes, ndërkohë që po pret debutimin me fanellën e Laçit.