Laçi kërkon konfirmimin, Nica: Të kënaqim tifozët! 

Trajneri i kurbinasve vlerëson kundërshtarin dhe thekson se është një ndeshje e vështirë, por sot objektivi është vetëm fitorja

Vladimir Prenga

Laçi i dha dorën e fundit përgatitjeve për ndeshjen me Luftëtarin, teksa skuadra kreu një seancë të lehtë stërvitore dhe më pas u grumbullua për të qenë sot në ambientet e stadiumit 90 minuta para nisjes së ndeshjes me gjirokastritët. Synimi për kurbinasit janë tre pikët dhe për këtë do të bëhet maksimumi në fushën e blertë. Para ndeshjes është trajneri Nica ai që ka folur për sfidën me bluzinjtë, që thekson se në skuadër ka optimizëm dhe në njëfarë mënyrë janë të detyruar të kënaqin tifozët kurbinas në këtë ndeshje të parë në shtëpi. “Vijmë në këtë takim me moralin lart pas asaj fitoreje të marrë me Partizanin, por e thashë edhe pas ndeshje me të kuqtë që fituam vetëm një ndeshje. Tanimë kemi një tjetër përballje të vështirë, ndaj një ekipi që meriton respekt dhe ne e kemi vlerësuar maksimalisht”, deklaron fillimisht durrsaku i pankinës kurbinas, që tej bën me dije se për ta objektivi janë tre pikët. “Luajmë në fushën tonë dhe normalisht që duhet të fitojmë. Është ndeshja e parë para publikut tonë dhe në njëfarë mënyre është përgjegjësi për t’i kënaqur ata. Normalisht mbështetja e tyre është e rëndësishme dhe hapur i ftojmë të jenë sa më të shumtë në stadium. Në do të bëjmë më të mirën tonë që të marrim një rezultat pozitiv. Në ekip ka optimizëm dhe të gjithë duken të mobilizuar, çka na jep besim para kësaj ndeshjeje të rëndësishme”, deklaroi Nica për “Sport Ekspres”. Sa i takon mungesave, ndaj Luftëtarit do të mungojnë sërish dyshja Qaqi-Rexhinaldo, pasi ende nuk janë rikuperuar. Të premten ata kanë nisur vrapimet pas terapisë intensive dhe javën e ardhshme me shumë mundësi do të jenë që të dy të gatshëm, ashtu si mbrojtësi brazilian Ademir Souza, i cili u ndëshkua me karton të kuq në ndeshjen me Partizanin.

Formacioni i mundshëm
Laçi: Selmani – Ejoh, Fangaj, Gjoni, Sefgjini – Nika, Lushkja, Bardhi, Kallaku, Uzuni  – Eskerda

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *