Shumë prova gjatë seancave stërvitore, formacioni pritet të zbulohet para ndeshjes. Trajneri vlonjat do fitore në debutim
Vladimir Prenga
Laçi përmbylli dje përgatitjet në aneksin stërvitor pranë stadiumit, ndërkohë që më pas ekipi u grumbullua për të qenë sot në stadium para nisjes së takimit me Vllazninë, që luhet prej orës 14:00. Për t’u përmendur fakti që kushtet e fushës së stadiumit të Laçit janë përmirësuar, pasi në ndeshjen e parë me Luftëtarin u pa që në zona të ndryshme tapeti kishte pësuar dëmtime. Punëtorët e fushës janë përkujdesur për të sikurse bëjnë gjithnjë, ndërkohë që tashmë parësore është fitorja me Vllazninë. Bardhezinjtë në tri javët e para kanë grumbulluar vetëm tre pikë, të marra në javën e parë ndaj Partizanit në transfertë, ndërsa më pas janë mundur nga Luftëtari dhe Kukësi. Marrja e tre pikëve ndaj kuqebluve është objektivi i vetëm.
PLANI – Gentian Mezani ka marrë këtë javë drejtimin e Laçit, pasi durrsaku Stavri Nica u largua pas humbjes së pësuar në Kukës të dielën. Tekniku vlonjat gjatë fjalës prezantuese me ekipin ua ka bërë të qartë futbollistëve se në ndeshjet brenda as që nuk duhen diskutuar fitoret dhe kjo nis që në ndeshjen e sotme me Vllazninë. Fitorja është shumë e rëndësishme, ndërkohë që sa i takon rreshtimit të skuadrës, nuk ka qenë fort e lehtë për të kuptuar se kush do ta nisë ndeshjen nga minuta e parë. Mezani ka bërë disa prova, ndërkohë që mbetet për t’u parë nëse mbrojtësi Harallamb Qaqi do e nisë nga minuta e parë ndaj kuqebluve. 24-vjeçari e ka lënë pas dëmtimin dhe është rikthyer në stërvitje me grupin, duke i dhënë mundësinë stafit teknik për të parë gjendjen e tij sportive. Edhe në mesfushë e sulm janë bërë disa prova gjatë kësaj jave, me Shalën në krahun e majtë, apo në sulm ku janë provuar disa futbollistë, duke nisur me Xhixhën që luajti titullar ndaj Kukësit. Sa i takon Rexhinaldos, sulmuesi nga Mozambiku nuk ia ka dalë të jetë gati edhe për këtë takim.
Formacioni i mundshëm i Laçit
Selmani – Ademir, Qaqi, (Fangaj), Gjoni, Sefgjini – Jonuzi, Bardhi, Lushkja – Nika, Uzuni (Shala) – Xhixha (Uzuni)