Merkatoja ka nisur dhe tashmë hyrjet dhe daljet janë ato që vlojnë në secilin ekip. Lojtarët kanë marrë pushimet, por drejtuesit po punojnë fort. Të kuqtë do të ndërhyjnë për të forcuar ekipin, por në të njëjtën kohë kanë edhe futbollistë që duan të sqarojnë pozitat e tyre. Një ndër to është edhe Labinot Ibrahimi. Mbrojtësi simbol për dashurinë dhe përkushtimin që ka treguar ndaj fanellës nuk ka pasur një sezon shumë të lumtur, pasi nuk ka gjetur minuta sidomos në pjesën e dytë të tij. “Labi” ka luajtur këtë edicion 24 takime dhe 19 sfida i ka filluar si titullar. Gjithsesi, humbja e statusit të titullarit nuk e ka lënë të kënaqur dhe për këtë arsye do të ulet për të biseduar me drejtuesit e klubit për të diskutuar në lidhje me të ardhmen e tij.
TAKIMI – Mbrojtësi shtatlartë për momentin është me pushime dhe është pjesë e Partizanit. Ai ka nevojë të relaksohet si në aspektin fizik, por edhe në atë psikologjik. Prandaj, për momentin nuk po mendon shumë për të ardhmen se çfarë do të bëjë, por përsëri i ka idetë e qarta. Në momentin që do të kthehet nga pushimet do të ulet për të diskutuar në lidhje me të ardhmen e tij. Ibrahimi do të flasë me drejtuesit e klubit të dijë planet e Partizanit dhe më pas të marrë edhe vendimin e tij. Mundësitë janë të hapura si për të qëndruar në ekip, si për të provuar një eksperiencë të re që mund t’i sigurojë më shumë minuta.