La Teutën, Markoviç akord në Poloni

Bojan Markoviç, qendërmbrojtësi boshnjak që sezonin e fundit luajti te Teuta, duket se do ta vijojë karrierën e tij në Poloni. 31-vjeçari u paraqit shumë mirë me Teutën, por në fund mes palëve nuk pati marrëveshje për të rinovuar kontratën, me gjithë dëshirën e mirë që pati. Durrsakët afruan kroatin Ante Hrkaç, që ka qenë shok ekipi me Markoviç te Çeliku në Bosnje Hercegovinë.

Së fundmi ka zhvillime për të ardhmen e shtatlartit, i cili ndodhet në Poloni dhe po testohet te skuadra e Ruh Horzuf, që sivjet ra nga Ekstraklasa, niveli më i lartë i futbollit në shtetin lindor. Vitin e shkuar ata kanë pasur probleme financiare dhe merkato u është bllokuar deri në 15 gusht. Shitja e Bargiel te Milani, mesfushorit të talentuar 17-vjeçar, ka bërë që situata financiare të ndryshojë për klubin. 600 mijë eurot e marra kanë bërë që drejtuesit të nisin merkaton dhe gjatë kësaj kohe kanë shkuar aty disa lojtarë, mes tyre edhe Bojan Markoviç. Ai është testuar në një miqësore dhe trajneri Ruh ka mbetur i kënaqur nga cilësitë e boshnjakut dhe tashmë mbetet për t’u gjetur akordi financiar dhe për t’u nënshkruar kontrata. Duhet thënë se Markoviç mund të luajë vetëm pas 15 gushtit me Ruh Horzuf, pasi nga ai moment do të zhbllokohet merkato.

LAÇI

Markoviç në Superiore bëri shumë mirë, çka ka bërë që të bjerë në sy me paraqitjet e tij dhe normalisht të kishte interesim për të. Mësohet se pas largimit nga Teuta, drejtuesit e Laçit, me pëlqimin e trajnerit Stavri Nica, kanë pasur një komunikim me menaxherin e qendërmbrojtësit për të diskutuar mbi një bashkëpunim të mundshëm. Kurbinasit pasi kanë marrë informacionin e duhur nuk kanë shkuar më tej, duke mos hyrë në bisedime konkrete, çka bëri që gjithçka të mbetej në kuadrin e një interesimi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *