Filipe Kutinjo përfundimisht do të mbetet edhe për një sezon pjesë e skuadrës së Liverpulit. Mesfushori brazilian ka pritur deri në sekondat e fundit të ditës së djeshme për ndonjë “mrekulli”, por asgjë e tillë nuk ka ndodhur. 25-vjeçari u kërkua me ngulm nga Barcelona këtë merkato vere, por klubi anglez bëri qëndresë dhe ia arriti qëllimit për ta mbajtur në “Anfield”. Trajneri Jurgen Klop, i dashuruar pas tij kokë e këmbë, siç është shprehur disa herë pas golave spektakolarë që ish-talenti i Interit ka shënuar me fanellën e kuqe, e ka përfshirë lojtarin në ekipin që do të paraqitet në sezonin e ri të Ligës së Kampionëve. Në ekip gjithashtu është përfshirë edhe Aleks Okslade-Çambërlein, i cili u transferua gjatë ditës së mërkurë nga Arsenali. Liverpuli është në grup me Sevijën, Spartak Moskën dhe Mariborin.
Nejmar – Nejmar, i cili këtë verë la Barcelonën duke u transferuar për 222 mln euro te PSG-ja, ka thënë se Kutinjo është shumë i mërzitur, duke lënë të kuptohet se mesfushori donte me çdo kusht kalimin në “Camp Nou”. “Jam shumë i lumtur që shënoi një gol (duke iu referuar ndeshjes me Ekuadorin, shënim i redaktorit), sepse ai po kalon një trishtim të madh. Duhet thënë se na ka ndihmuar për fitoren, është një lojtar i madh dhe fizikisht ishte shumë mirë”, – ka deklaruar shoku i tij i ngushtë. Sinjal i qartë, apo jo?
Oferta – Siç është raportuar në medien spanjolle dhe atë angleze, oferta përfundimtare e Barcelonës për Kutinjon ka qenë 160 mln euro, por Liverpuli e ka refuzuar. Skenari më i mundshëm tani mbetet ai i transferimit të tij në verën e ardhshme, diçka që ka ndodhur në rastin e Luis Suarezit më parë.