Eduarto Abrahamian është një trajner, i cili ka luajtur për tre sezone si mbrojtës me River Plejt në fillimet e viteve 80’, ndërsa më vonë ka punuar me ekipet e moshave të klubit të “milionerëve”. Në një prononcim për “Goal America”, ai zbulon faktin që si klubi i Riverit la t’i ikte nga duart një lojtar si… Leo Mesi!
Ishte gushti i vitit 2000, kur 13-vjeçari Leo Mesi erdhi për të kryer një provë një javore në klub, gjatë së cilës shkëlqeu dhe mahniti trajnerin Abrahamian.
“Mesi krijoi një impakt që në stërvitjen e parë. Ai ishte shumë i vogël, por mua nuk më interesonte madhësia e tij, por aftësitë teknike, që i kishte me shumicë. Ai ishte mbresëlënës dhe shënoi 12 gola brenda 3-4 ditësh. Lajmërova drejtorin e përgjithshëm të klubit dhe i thashë të vinte të shihte djaloshin, i cili kishte diçka befasuese si: kualitetin teknik, shpejtësinë dhe mënyrën se si i shmangte kundërshtarët.
Drejtuesit duhet të flisnin me të atin për ta sjellë atë në klub. Unë e dëshiroja Mesin te Riveri, por drejtuesit duhet të akomodonin të atin dhe familjen e tij. Nuk mund të shohësh çdo ditë një lojtar si Leo, i cili bënte diferencën dhe ishte i jashtëzakonshëm. Ai luante futboll me gëzim dhe freski, por kishte disa gjëra që duhet të zgjidheshin”, tregon Abrahamian, i cili ishte personi që i ngjiti Mesit nofkën “Pleshti”.
“Isha i bindur, që ai mund të luante në nivele të larta dhe i thashë klubit që lojtari ka cilësi të mëdha, por ata më thanë që kanë disa lojtarë si ai në ekip. Riveri nuk e kuptoi që investimi për të ishte pothuajse asgjë. Kur Boka Zhuniors investoi te Maradona, ai luante në kategorinë e parë me Argjentina Zhuniors.
Por, Boka investoi te Diego dhe pagoi për të dhe Riveri duhet të kishte bërë të njëjtën gjë me Mesin”, përfundon Eduarto Abrahamian. Me 17 shtator të vitit 2000, Mesi udhëtoi drejt Barcelonës, për të kryer një test të ngjashëm me atë te Riveri. Ai shkëlqeu në provën e klubit katalanas dhe dihet se çfarë ndodhi më pas, ku ndryshoi historia e Barcelonës dhe e futbollit botëror.