“Kur ligamenti të bën trajner para kohe”, historia e Iken Drobonikut

Tomori në sezonet e fundit i kanë munguar rezultatet dhe ngjitja në Kategorinë Superiore, por ia ka dalë mbanë t’i jap Beratit dhe futbollit shqiptar futbollist të talentuar. Por jo vetëm, sepse në Berat janë promovuar edhe trajnerë të rinj, që janë duke hedhur kështu pranë këtij klubi hapat e para të trajningut dhe duke krijuar një brez të rinj trajnerësh në Berat.

Mes tyre dallon edhe Iken Droboniku, i cili është vetëm 30 vjeç dhe drejton për të tretin vit radhazi skuadrën Tomori U19. Sezonin e shkuar ai siguroi një arritje të rëndësishme pasi për herë të parë Tomori U19 u ngjit në Kategorinë Superiore.

Por kjo karrierë e hershme si trajner erdhi pas ndërprerjes së shpejtë të asaj si futbollist. Shkak ishin dëmtimet e shpeshta. Në një bisedë për “Sport Ekspres”, Droboniku tregon udhëtimin e tij, hapat e parë në futboll, punën me të rinjtë dhe objektivat e tij.

INTERVISTOI: ELTON ÇELA

Iken, na trego pak për karrierën tuaj, si futbollist?
-Realisht ishte shumë e shkurtër, shumë më  e shkurtër nga ajo që kisha menduar kur nisa këtë rrugë. Por sërish, e bukur dhe plot emocione. Futbolli ishte ëndrra ime dhe fakti që e realizova ishte kënaqësi. Kam luajtur për Tomorin, Apoloninë, Skraparin dhe Luzin derisa mora vendimin për ta mbyllur me futbollin e luajtur.

Iken Droboniku, duke festuar titullin kampion me Tomorin U19 në Kategorinë e Parë

Pse erdhi kjo ndarje nga futbolli i luajtur?
-Për shkak dëmtimesh. Si  të them, një histori fatkeqe më bëri të ndahesha herët nga vazhdimi i ëndrrës time. Pasi bëra një sezon të mirë te Tomori U19, duke e mbyllur si golashënuesi më i mirë në Kategorinë e Parë, ishte trajneri i atëhershëm i Apolonisë,  Gerd Haxhiu, i cili më ftoi në Fier dhe si profesionist e nisa pikërisht aty. Aventura nisi mirë, por në fundin e fazës së parë u dëmtova në ligament dhe aty nisi fati im i keq. U riktheva në Berat dhe më pas tek Apolonia sërish, Skrapari dhe Luzi, ku kam pasur shokë skuadre futbollistë të rëndësishëm në futbollin shqiptar të viteve të fundit.

Ishte i dhimbshëm largimi nga futbolli në atë moshë?
-Sigurisht, por nuk mundesha të bëja më tepër. Ai dëmtim u bë kronik dhe po bëhej e pamundur që fizikisht ta përballoja ritmin. Kështu me dhimbje vendosa të largohesha përfundimisht nga futbolli i luajtur.

Më pas nisi rrugëtimi si trajner…
-Në fakt qysh kur isha futbollist po planifikoja të ardhmen time pranë futbollit. Kështu ndoqa studimet e larta në Universitetin e Sportit. Në vazhdimësi kam ndjekur kurse të ndryshme trajningu në FSHF, derisa m’u hap dera për të bërë rolin e trajnerit.

Kush është ekipi i parë që keni drejtuar?
-Në fakt është i pari edhe i vetmi, pa përmendur një eksperiencë të shkurtër në ekipin e parë. Prej tre vitesh drejtoj skuadrën Tomori U19. Fillimisht si ndihmës i Klodian Arbrit dhe më pas trajneri i parë i skuadrës. Falënderoj drejtuesit e klubit që u hapën dyert të rinjve, duke më përfshirë edhe mua. Ishte kënaqësi të punoje me Klodian Arbrin dhe të merrje nga profesionalizmi i tij.

Droboniku me ekipin e parë

Sa e vështirë është të punosh me moshat në Shqipëri?
-Është e vështirë, sepse ke edhe problemet e infrastrukturës. Kur je trajner i ekipit të moshave, je ndërkohë edhe trajner futbolli, edhe edukator. Kjo sepse duhet të nxjerrësh qytetar të mirë dhe të rinj të edukuar. Më pas akoma më mirë nëse arrin të dërgosh në ekipin e parë futbollistë të talentuar. Unë në skuadër fokusohem tek edukimi dhe taktika, me qëllim që çdo futbollist të jetë gati në aspektin tekniko-taktik kur shkon në ekipin e parë.

Cila është arritja juaj më e madhe në stol?
-Sigurisht, sezonin e shkuar kur dolëm kampion të Kategorisë së Parë U19. Siguruam që këtë vit të luajmë në Kategorinë Superiore. Por edhe disa futbollist të rinj që i kam trajnuar në ekipin tim dhe sot janë pjesë e ekipit të parë, por jo vetëm. Ka edhe në skuadra të tjera në të gjitha kategoritë e futbollit shqiptar.

Mund të përmendni ndonjë emër?
-Po sigurisht: Hyseni apo Oshafi që janë pjesë e Luftëtarit, Zoga tek Apolonia, Kumani, Memlika e Kovaçi më të fundit te Tomori, por edhe Drabo e Xherimeja, Serdari, Kërkuta e Lamaj te Naftëtari, Hysaj tek Skrapari. Aktualisht në skuadër kam elementë të tjerë që do lënë shenjën e tyre në futbollin shqiptar.

Përmende një eksperiencë të shkurtër në ekipin e parë. Cilat ishin ndjesitë në atë periudhë?
-Unë kam qenë gjithnjë afër me ekipin e parë, por eksperienca më e gjatë ishte në vitin tim të parë, si trajner i U19. Largimet e Sinellës dhe Stojkut më hapën rrugën të isha trajner deri në mbylljen e atij sezoni. Sinqerisht ishte një periudhë e bukur të stërviste futbollistë profesionistë, madje edhe ish-shokë skuadre. Kjo më ndihmoi. Në atë sezon Tomori e kishte siguruar pesëshen e parë dhe nuk kishte objektiva më të larta. Kjo ma bëri më të lehtë atë periudhë drejtimin të skuadrës.

Cili është modeli juaj që ndjek në trajning?
-Paksa e tepërt, që ndërkohë që trajnoj moshat në Shqipëri, të përmend emra të rëndësishëm të trajningut botëror. Por mund të them se pëlqej modelin e lojës së Guardiolës. Nuk e shoh dot futbollin në mbrojtje. Kjo ndoshta vjen se edhe vetë kam qenë sulmues. Por edhe nuk dua t’i mësoj djemtë që në këtë moshë të jenë cinikë dhe të shohin vetëm rezultatin.

Si ka qenë bashkëpunimi i deritanishëm me trajnerët e Tomorit?
-Përgjithësisht të mira. Por mund të përmend teknikun aktual, Devollin, me të cilin marrëdhëniet janë shumë të mira dhe profesionale. Fakti që ai ka afruar djem nga skuadra ime në ekipin e parë e tregon këtë.

Kush është objektivi juaj i së ardhmes?
-Së pari, dua të mbyll me sukses këtë sezon dhe skuadra të qëndroj në Kategorinë Superiore. Nuk do të jetë e  thjeshtë, pasi grupi i futbollistëve nga ai i vjetshmi është ndryshuar shumë. Gjithsesi skuadra ka nisur të reagojë. Pas fitores së parë mendoj se djemtë do të kenë një tjetër reagim në vazhdim dhe mund t’ia dalim të qëndrojmë sërish në Kategorinë Superiore. Për më larg sigurisht edhe unë kam objektiva të rëndësishëm për të drejtuar ekipin e parë apo në Kategorinë Superiore, por kjo duhet të vij hap pas hapi pa nxituar asgjë.

Një mesazh për të rinjtë që duan të luajnë futboll?
-Është mesazhi që u jap lojtarëve të mi, por edhe çdo të riu: të merren me sport, edhe nëse në të ardhmen nuk do të bëhen futbollistë profesionistë. Sporti të mban larg veseve, por edhe teknologjisë që ka mbizotëruar brezin e ri.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *