“Kundërshtarë të nivelit të lartë”, Sokol Cikalleshi e sheh ndryshe me Kombëtaren: Nuk ka ndeshje miqësore

Kombëtarja shqiptare po vijon përgatitjet për dy ndeshjet miqësore që do të zhvillojë më 5 qershor ndaj Uellsit në transfertë dhe tre ditë më vonë ndaj Republikës Çeke, po në transfertë.

Ekipi ka udhëtuar ditën e martë drejt Kardifit, me grupin që ka zhvilluar të martën pasdite një seancë të lehtë stërvitor. Në prag të ndeshjes me Uellsin, në një konferencë zyrtare për mediat kanë dalë ditën e sotme dy futbollistët e Kombëtares, Sokol Cikalleshi dhe Keidi Bare, të cilët kanë folur për dy ndeshjet që Shqipëria do të zhvillojë ndaj këtyre kundërshtarëve.

Bomberi shqiptar, Sokol Cikalleshi, i cili ka zhvilluar një sezon mjaft të mirë në Turqi me ekipin e Koniaspor, ka folur për këto dy sfida, duke i konsideruar jo shumë të lehta. Cikalleshi thekson se përgatitjet për këto dy ndeshje janë marrë shumë seriozisht nga ekipi dhe përqëndrimi është maksimal, duke u shprehur se kanë pak a shumë të njëjtin nivel si skuadrat kundërshtare me të cilat Kombëtarja do të luajë në shtator. Ai flet gjithashtu edhe për të ardhmen e tij.

Miqësoret ndaj Uellsit dhe Republikës Çeke – Ka qenë një sezon i gjatë për të gjithë besoj, prej pandemisë dhe ndeshjeve të ngjeshura. Por ka kaluar tashmë dhe jemi fokusuar te dy ndeshjet e Kombëtares. Janë miqësore, por sigurisht që nuk i konsiderojmë të tilla pasi janë dy ndeshje që na bëjnë të provojmë veten se ku jemi përpara provës së zjarrit që kemi në shtator. Janë dy ekipe që kanë shkuar në Europian dhe besoj se janë të të njëjtit nivel si kundërshtarët tanë dhe ne jemi gati të bëjmë më të mirën tonë dhe të provojmë veten. Po ashtu edhe trajneri të provojë taktikat e tij për të marrë më të mirat e tij në këto dy ndeshje.

Ndeshje pa presion? – Besoj se nuk e kemi luksin ne si Kombëtare që të shohim ndeshje të mirëfillta si miqësore. Ndodhemi në një moment delikat, vijmë pas Ligës së Kombeve ku patëm sukses, duke u renditur të parët. Tani jemi në një kompeticion akoma më të fortë dhe me kundërshtarë akoma më të fortë dhe jemi në një moment deciziv për të parë se ku jemi. Nuk do t’i konsideroja miqësore dhe do të kemi të njëjtin përqëndrim si në ndeshjet e shtatorit.

Skemat e përdorura në fushë – Skemat i përkasin trajnerit dhe ai e di më së miri dhe besoj se do të zgjedhë më të mirën e mundshme për kontigjentin që ka. Dihet skema jonë, që është 3-5-2 që e kemi bërë pothuajse në të gjitha ndeshjet, përveç se në ndeshjen me Anglinë, kështu që skema nuk besoj se do ketë ndonjë ndryshim të madh, por ajo çka është më e rëndësishme është që me atë skemë që do të zgjedhë trajneri, ne lojtarët të fokusohemi dhe të përqëndrohemi për të bërë performancën më të mirë.

Miqësoret, moment për të përforcuar pozitat në Kombëtare? – Çdo ndeshje është e rëndësishme, pavarësisht kundërshtarit dhe pavarësisht gjendjes ku jemi dhe rëndësisë së ndeshjes, jo vetëm për mua por për çdo lojtar që është në këtë kontigjent. Ne jemi të gatshëm gjithmonë, edhe kur luajmë edhe kur nuk luajmë. Të jesh pjesë e Kombëtares, nuk do të thotë të jemi të lumtur vetëm kur luajmë, kështu që unë do jem shumë i gatshëm të bëj më të mirën time. Patjetër që të shënoj, ta ndihmoj ekipin. Unë për këtë jam këtu, por është trajneri që i vendos të gjitha dhe unë do ta ndihmoj si brenda fushe ashtu edhe jashtë fushe.

Ndeshja ndaj Uellsit – Uellsi është një ekip që ka shkuar në Europian, një ekip fizikisht shumë i mirë. Është ekip për t’u vlerësuar dhe besoj në të njëjtin nivel me kundërshtarët tanë të shtatorit. Do të jetë ndeshje e vështirë, besoj që për momentin ndodhet pak më lart se ne dhe duhet të jemi koshientë për këtë gjë. Duhet të jemi të përqëndruar dhe të bëjmë ndeshjen tonë më të mirë edhe pse janë miqësore.

E ardhmja – Kam edhe një vit në kontratë me Koniaspor, kam mbyllur një sezon të mirë. Do ta respektoj kontratën deri në fund. Patjetër që në momentin që do të ketë ndonjë ofertë më interesante, unë do ta shqyrtoj me detaje. Deri tani është herët për të folur për transfertat. Të bëjmë më të mirën këtu në Kombëtare, pastaj kemi disa pushime. Në momentin që vijnë gjëra më të mira, unë do t’i shqyrtoj patjetër.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online