Dalja e mundshme e një lojtari cilësor në treg është një lajm i bujshëm për çdo ekip, sidomos ato të kreut, që kanë edhe financat e duhura. Për këtë arsye, “bomba” te Partizani, me sherrin Starova-Trashi, aktivizoi së pari Kukësin.
Sport Ekspres mëson se drejtuesit e Kukësit janë gati t’i ofrojnë Trashit një kontratë mjaft joshëse, me më shumë se 4000 euro në muaj, por gjithashtu një bonus të rëndësishëm për firmën, nëse largohet me parametër zero nga Partizani.
Problemi është kontrata, natyrisht, sepse Partizani nuk e lëshon kollaj mesfushorin e rëndësishëm, edhe pse veproi ndryshe me të tjerët që largoi në fillim të muajit. Natyrisht, në rastin e Trashit drejtuesit e Partizanit veprojnë ndryshe sepse e dinë që ai vlen shumë në merkato, por problemi është se nuk ka më oferta për të. Gjithsesi, Kukësi e ka kaluar topin në mesfushën e Trashit, mesfushori duhet ta gjejë vetë zgjidhjen për prishjen e kontratës.
Ndërkaq, nëse Trashi do të lirohej nga Partizani, nuk është e thënë që Kukësi ta ketë të shtruar rrugën, sepse për mesfushorin mund të realizohej edhe ndonjë kalim në Vlorë, aty ku do gjente Shpëtim Duron, trajner me të cilin ka marrëdhënie të shkëlqyera.