Kukësi nuk do të kthehet në Shqipëri deri pas ndeshjes së parë në Champions. Kampionët do të fluturojnë direkt nga Austria në Moldavi
Siç ishte paralajmëruar pak ditë më parë, verilindorët kanë ndryshuar agjendën për debutimin e tyre në Champions. Shorti i rezervoi përballjen e parë në transfertë, saktësisht në tokën moldave, çka ka bërë që drejtuesit e Kukësit t’i mendojnë dhe njëherë detajet e udhëtimit për ndeshjen e parë. Në Austri ishte planifikuar që skuadra të qëndronte deri në datën 5 korrik, megjithatë duket se gjithçka do të shtyhet dhe për pak ditë. Ndeshja e parë është caktuar në datën 12 korrik dhe me shumë gjasa prenotimi në Austri do të shtyhet deri me datën 10 korrik, për t’i përmbyllur atje përgatitjet.
FAVORET
Nga lodhja tek shpenzimet, duket se është një zgjedhje e mirëmenduar ajo e udhëtimit Austri-Moldavi për Kukësin. Një kthim në Shqipëri me datën 5 përveçse do të ulte rendimentin e stërvitjes, do të shtonte jashtëzakonisht lodhjen, për të mos përmendur më pas faktin se do të ishte dhe një udhëtim tjetër. Përveç kësaj do të kishte dhe një kosto e lartë financiare, por diçka e tillë mund të themi se do të kompensohet për qëndrimin në hotelin ku janë akomoduar, por për përmbushjen e objektivit të kalimit të këtij turi, presidenti Gjici ka treguar se është gati të bëjë akoma më shumë. Distanca mes Austrisë dhe Moldavisë është më e afërt se me Shqipërinë. Ky është një tjetër aspekt pozitiv për Kukësin, i cili do të ketë komoditet akoma më të madh, pasi nuk do të udhëtojë transit, por në një linjë direkt. Kushtet për stërvitje në Austri janë shumë herë më të mira se në Shqipëri, duke qenë një tjetër favor i Kukësit.
Kualifikimi për në turin tjetër duket i vështirë por jo i pamundur dhe Kukësi po mundohet që të bëjë gjithçka mirë, vetëm e vetëm që të kalohet turi. Ëndrra me madhe mbetet arritja e grupeve të Europa League-s.