Albi Alla është zyrtarisht i Larisës dhe as që ka ndërmend të merret më me historinë e kontratës me Kukësin, por klubi verilindor nuk po e lë këtë histori.
Sot ishte planifikuar një seancë ballafaqimi mes palëve në Dhomën e Zgjidhjes së Konflikteve në FSHF për çështjen mes Kukësit dhe Albi Allës. Një seancë, pajtimi siç parashikohet nga rregullorja në raste të tilla, ku me ndërmjetësinë e FSHF synohet gjetja e një akordi mes palëve, por në zyrat e institucionit shqiptar të futbollit janë paraqitur vetëm përfaqësuesit e klubit të Kukësit, ndërsa kanë munguar ata të qendërmbrojtësit 24-vjeçar, raporton Supersport.
Në këtë mënyrë zhvillimi i seancës ka qenë i pamundur dhe Federatës i duhet të caktojë një datë tjetër për seancën e parë, ku do të tentohet gjetja e mirëkuptimit mes palëve. Për momentin si Kukësi ashtu dhe lojtari qëndrojnë në llogore të kundërta, Kukësi ka paditur futbollistin për shkelje të njëanshme të kontratës duke u larguar nga skuadra me përfundimin e sezonit pa marrë pjesë në ndeshjet europiane. Pretendimi i klubit kampion të Shqipërisë është se Alla ka firmosur në kontratën e tij me Kukësin se “lojtari pranon të luajë me të njëjtat kushte edhe në rast të zgjatjes së sezonit futbollistik nga federata apo edhe në rast të kualifikimit në Champions ose Europa League”.
Kukësi pretendon se në kontratë është parashikuar se në rast mosparaqitje të futbollistit për të luajtur në Kupat e Europës lojtari penalizohet me një shumë prej 500 mijë eurosh, me klubin që këcenoi se do ta çonte çështjen edhe në KAS, nëse nuk i jepet e drejtë në FSHF e FIFA.
Nga ana tjetër, përfaqësuesit e pogradecarit që është bashkuar me skuadrën e AEL Larisës pretendojnë se rregulloret e UEFA-s nuk i njohin zgjatje të tilla të kontratave edhe për ndeshjet europiane.
Realisht, si Kukësi, ashtu edhe Alla kanë të drejtën e vet, por nëse vërtet çështja shkon në FIFA, të dyja palët rrezikojnë dënimin dhe më shumë rrezikon Kukësi, që aplikon klauzola që nuk parashikohen në rregulloret e FIFA-s dhe UEFA-s, pasi çdo sezon përfundon më 30 qershor.